Ndaj Arsenalit luan Wigani, jo City
Wigan Athletic e ka bërë përsëri – e ka mposhtur Manchester Cityn në Kupën FA (2-1) dhe ka siguruar gjysmëfinalen e kësaj gare.
Në ndeshjen e zhvilluar në Etihad Stadium, ekipi mysafir i frustroi vendasit në pjesën e parë dhe arriti të krijojë epërsi. Një ndërhyrje të Demichelis në dëm të Fortune, arbitri e ndëshkoi me penalti. Jordi Gomez u tregua i saktë nga njëmbëdhjetëmetërshi (27’).
Porsa filloi pjesa e dytë, kampioni në fuqi i kësaj gare realizoi golin e dytë. James Perch ishte realizues (46’).

Samir Nasri pranoi një top nga Richards për t’i dhënë shpresa skuadrës së tij (68’).
Të zgjedhurit e Manuel Pellegrinit u përpoqën në vazhdim që ta kthenin rezultatin në favor të tyre, mirëpo nuk arritën ta bënin këtë.
Kujtojmë që ishte pikërisht Wigan Athletic që e mposhti Manchester Cityn në finalen e vitit të kaluar.
Arsenali dhe skuadra që bën gara në Championship do ta zhvillojnë ndeshjen gjysmëfinale më 13 prill në Wembley Stadium.
Gjysmëfinalja tjetër zhvillohet ndërmjet Hull City dhe Sheffield United më 12 prill, po në Wembley. /Telegrafi/