LDK: Liburn Aliu po i bllokon lejet
Grupi i Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka reaguar ndaj deklarimeve të bëra në një konferencë shtypi nga Liburn Aliu, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm. LDK thotë se Aliu, më 5 mars 2014 deklaroi të pavërteta dhe konstatime pa bazë ligjore lidhur me gjoja të gjeturat e tij në këtë drejtori. “E gjithë kjo po bëhet me qëllim të fshehjes së dështimeve në 70 ditshin e qeverisjes së VV në Komunë”, thuhet në reagim. LDK thotë se bllokimi i lëshimit të lejeve të ndërtimit do të shprehet keq në industrinë ndërtimore të Prishtinës dhe në ekonominë e lidhur me ndërtimet, në punësim dhe në rritje ekonomike. Ky bllokim është në kundërshtim me Ligjin.
Qëkur VV erdhi në pushtet sipas reagimit të LDK-së, është lëshuar vetëm një leje e ndërtimit, e cila në fakt nuk është taman leje por një vendim i ndërmjetëm..
Në reagimin e saj LDK numëron të gjitha pikat në të cilat edhe është akuzuar ish qeveria komunale nga drejtori aktual për Urbanizëm.
LDK hedh poshtë akuzat e Aliut se nuk ka funksionuar arkiva, sikurse edhe qasja në dokumente zyrtare.
Përveç se ka hedhur poshtë kritikat e bëra nga Aliu, LDK akuzon drejtorin aktual se po bën shkelje ligjore me bllokimin e lëshimit të lejeve ndërtimore prej se ka ardhur në pushtet.
“Fakti se brenda dy muaj e gjysmë është lëshuar vetëm një leje ndërtimi, që në fakt nuk është leje por vetëm një vendim i ndërmjemë në procedurë, flet për shkelje të mëdha që po bën ky drejtor dhe drejtoria në lëshimin e lejeve ndërtimore”, thuhet në reagim.
LDK kundërshton konstatimet e Aliut se lejet ndërtimore janë dhënë në kundërshtim me planet rregulluese, duke sqaruar procedurat e dhënies së lejeve ndërtimore.
LDK konstaton se bllokimi i lëshimit të lejeve të ndërtimit do të shprehet keq në industrinë ndërtimore të Prishtinës dhe në ekonominë e lidhur me ndërtimet, në punësim dhe në rritje ekonomike. Ky bllokim është në kundërshtim me Ligjin, kur dihet se është numër shumë i madh i qytetarëve dhe investitorëve të cilët kanë kërkuar leje ndërtimi dhe nuk kanë marrë përgjigje.