Komunarët shkelës ligji, inspektorët vetëlavdërohen
Inspektori komunal i Podujevës, Mehdi Latifi, ka shprehur fjalë të mira për vete kur ka folur për zbatueshmërinë e Ligjit për kontrollin e duhanit në këtë qytet.
Edhe pse ligji shkelet edhe nga vetë kolegët e tij në institucionin e Komunës, Latifi e ka prezantuar si arritje mosofrimin e tavllave të duhanit nga pronarët e lokaleve afariste. Por, inspektori i Veterinarisë, i cili disa muaj kishte bërë edhe punën e atij sanitar në mungesë të personit përgjegjës, nuk kishte qenë në gjendje të thoshte nëse kishte shqiptuar ndonjë gjobë ndaj shkelësve të ligjit gjatë 10 muajve.
Në një tryezë të rrumbullakët që është mbajtur të premten në Podujevë më temë: “Ndryshimi kulturor që po e sjell zbatimi i Ligjit për kontrollin e duhanit në shoqërinë tonë”, Mehdi Latifi, nuk është ndier mirë kur i është kujtuar nga panelistët se komunarët e Podujevës pinë duhan gjatë tërë orarit të punës në bufenë e Komunës dhe në ndonjë zyrë aty-këtu.
Mirë nuk është ndier as kur Valdet Çitaku, pronar i lokalit ku është mbajtur tryeza, e që është ndër të vetmit ku nuk pihet duhan, është ankuar se pronarët njoftohen për aksionet e inspektorëve nga niveli qendror ende pa ardhur në Podujevë, kur ata janë në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë. /Koha/