Jonuz Musliu: Tirana e Prishtina ta marrin Preshevën me luftë, si Rusia Krimenë
Lugina është pjese e pushtuar e Kosovës, nga ana e Serbisë. Nëse rajoni i Krimesë së Ukrainës do të destabilizonte situatën, në Preshevë do të ndodhte e kundërta: do të stabilizonte Luginën e Preshevës, duke legjitimuar autonominë e saj, me të drejtë bashkimi me Kosovën”.
Këtë ka pohuar Jonuz Musliu, ish-kreu i UÇPMB-së dhe aktualisht kryetar i Kuvendit të Bujanocit, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë”. Ai ka shtuar se “besoj se ndërkombëtarët nuk do të presin që edhe në Luginën e Preshevës të derdhet gjaku, të bëhen 80 viktima sikur në Kiev për shkak të një regjimi, për realizimin e të drejtave kombëtare”.
Musliu: Lugina e Preshevës nuk e ka te lidhur fatin me Krimin e Ukrainës, por me Kosovën, si pjesë e saj. Musliu propozon se “nëse Moska e kërkon Krimenë, Tirana dhe Prishtina duhet të kërkojnë Luginën e Preshevës”. Por më tej ka ironizuar dy qeveritë shqiptare, duke thënë: “Lugina nuk ka sikur Krimeja qeverinë ruse, por ka qeveri puse…“
Më tej ai bën një retrospective historike, duke kujtuar se “lugina e Preshevës gjatë historisë ka qenë pjesë integrale e Kosovës. Ajo është ndarë nga Kosova në vitin 1945-1956, nga komunistët jugosllavë në shkëmbim të dy komunave në veri të Kosovës, me Leposaviçin dhe Zubin Potokun. Qëllimi i kësaj ndarjeje ishte copëzimi i trungut shqiptar dhe defaktorizimi i tij, si në aspektin politik, ashtu edhe nacional. LPD përmes kësaj deklarate politike, rikujton edhe një herë verdiktin e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës, të shpalosur demokratisht në referendumin e 1-2 marsit 1992, në të cilin qytetaret e këtij rajoni u shprehën për autonomi politike dhe territoriale me të drejtë bashkëngjitje me Kosovën. Kjo si zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, që mundëson respektimin e të drejtave njerëzore dhe etnike për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
Në fakt, sipas Musliut, “ne kemi pasur Referendum edhe para Krimesë dhe Osetisë, por politikanet tanë nuk e zbatuan në praktikë vullnetin e popullit, duke vrapuar pas karrigeve dhe biznesit”. Ish-kreu i ushtrisë (UÇPMB-së) theksoi se “pas gjithë kësaj u desh që rinia, popullësia jonë të riorganizohet dhe t’i marrë pushkët në krah të dalë në mal duke u vendosur në radhët e UÇPMB-së…Prandaj, Lugina e Preshevës nuk e ka të lidhur fatin me Krimenë e as Osetinë, por me Kosovën, si pjesë e saj“.
Sipas z.Musliu nëse Moska e kërkon Krimin, Tirana dhe Prishtina duhet ta kerkoj Luginën e Preshevës. Por, Lugina nuk ka sikur Krimi qeverinë ruse, por ka qeveri puse…/standardi.info