Partitë: Jahjaga mund ta vazhdojë mandatin deri në fund
Përfaqësuesit e partive politike PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk do t’i nxjerrin telashe presidentes Atifete Jahjaga që ta çojë mandatin deri në fund. Ata kanë deklaruar për “Epokën e re” se ky mandat presidencial është i rregullt, se askush nuk bën të ndërhyjë dhe ta ndërpresë atë.
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, kanë deklaruar se mandati i presidentes është kushtetues dhe nuk duan të ndërhyjnë, pavarësisht se deri më tash në Kosovë posti i presidentit ka qenë pjesë e pazarit të formimit të koalicionit qeverisës. Megjithatë, ata nuk kanë mohuar se presidenti i ardhshëm, pas Jahjagës, mund të vijë në krye të këtij institucioni si rezultat i konsensusit politik në mes të partive që do ta formojnë qeverinë e re të ardhshme.
Nënkryetari i partisë më të madhe në vend, PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se ky mandat presidencial është i plotë dhe, sipas tij, asnjëherë nuk është diskutuar ndërprerja e këtij mandati. Kuçi nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas Jahjagës ky post të jetë i negociushëm.
“Posti i presidentit nuk do të ndërpritet, sepse është mandat i rregullt dhe nuk ndërhyjmë deri në përfundim të mandatit. Nuk e kemi biseduar këtë çështje asnjëherë”, ka thënë Kuçi. E i pyetur se pas përfundimit të mandatit nga ana e presidentes Jahjaga, a do të negociohet ky post nga partitë që do ta ndërtojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës, Kuçi është përgjigjur: “Nuk kemi folur me askënd për këtë çështje”.
Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar për “Epokën e re” se nuk kanë arsye për ta kërkuar ndërprerjen e mandatit të presidentes, duke shtuar se ky post nuk do të jetë pjesë e kalkulimeve politike. “Pse ta kërkojmë ndërprerjen e mandatit të presidentes? Posti i presidentes nuk do të jetë pjesë e kalkulimeve politike”, është shprehur Gashi.
As nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, nuk mendon se mund të preket mandati aktual i presidentes. “Presidentja e ka mandatin e vet kushtetues dhe me siguri se ajo do të vazhdojë ta kryejë mandatin e vet. Kjo varet prej saj ose, eventualisht, që nuk besoj se do të ndodhë ndonjë shkelje kushtetuese, ajo të largohet”, ka thënë ai. Gjini ka pranuar se pas mbarimit të këtij mandati me siguri se posti i presidentit do të jetë çështje e politikës në mes të subjekteve politike. “Posti i presidentit është post politik në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë, edhe pse nganjëherë po spekulohet dhe po thuhet pse në Kosovë po bëhet posti i presidentit politik. Shihni të gjitha vendet ku ka demokraci parlamentare, gjithkund është posti i presidentit post i negociueshëm për shkak se është post politik që votohet në Kuvend”, ka thënë Gjini.
Ditë më parë edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka shprehur zhgënjimin e tij me kreun e PDK-së, Hashim Thaçi dhe atë të LDK-së, Isa Mustafa, të cilët, sipas tij, nuk e kanë përmbushur marrëveshjen e 6 prillit të vitit 2011, e cila parashihte që presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Sipas Pacollit, tani po vërehet se ajo marrëveshje ishte nënshkruar vetëm sa për ta tejkaluar krizën e atëhershme politike.
“Ajo ka qenë një marrëveshje mes dy liderëve të partive më të mëdha në vend, pra dy liderëve shumë kredibilë të skenës politike kosovare dhe unë kam qenë i prirë t’i besoj asaj marrëveshje. Kam besuar pa rezervë se do të kemi reforma të mirëfillta zgjedhore, se presidenti do të zgjidhet nga qytetarët, në mënyrë që posti i presidentit të jetë i respektuar, i zgjedhur nga qytetarët e jo nga pazaret apo teket e parlamentarëve”, ka thënë Pacolli.
Se presidentja Jahjaga do ta vazhdojë mandatin deri në fund dhe se posti i presidentit nuk do të jetë pjesë e kalkulimeve politike e ka konfirmuar ditë më parë edhe ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Jacobson, e cila i ka porositur partitë politike që mos të llogarisin pozitën e Atifete Jahjagës kur të diskutojnë për koalicione. “Ata harrojnë faktin se presidentja e ka mandatin deri në 2016-n, diçka që e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Jacobson.
Një burim i mirinformuar në kushte anonimiteti i ka thënë “Epokës së re” se përsëri presidenti i ardhshëm do të negociohet në mes të partive që do ta formojnë koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve nacionale.