Osmani: Nuk negociojmë për pozitën e kryeministrit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se partia e saj nuk e negocion pozitën e kryeministrit të Kosovës.
Sipas saj, LDK-ja nuk do të lidh koalicione parazgjedhore me asnjërën nga partitë politike, dhe nëse vendoset një gjë e tillë, kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve, por duke u bazuar në dy kushte: numrat e fituar në legjislativin kosovar dhe përshtatjen e programeve me partitë tjera.
“Nëse dikush tenton që të krijojë paralele në mes vitit 2004 dhe 2014, mendoj se nuk është e drejtë një gjë e tillë sepse kemi të bëjmë me rrethana krejtësisht të ndryshme. LDK-ja ka bërë përpjekje që çdo herë të luaj rol konstruktiv brenda politikës kosovare”, ka thënë Osmani për Telegrafin.
Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë,Nexhat Daci, ka deklaruar për media se në Kosovë duhet të përsëritet formula e koalicionit të vitit 2004, meqë sipas tij, “kjo do t’i shpëtonte Kosovën dhe qytetarët”. /Telegrafi/