Kalo te lënda

Një helikopter për QKUK

403x302167941rtklive04330603201435QKUK-ja ka nevojë për helikopter. Nga rreth 3 mijë e 800 aksidente, të cilat ndodhin në Kosovë, e që trajtohen në Klinikën Emergjente të Kosovës, 5 për qind apo rreth 200 persona kanë vdekur si pasojë e mungesës së intervenimit me helikopter në vendet ku nuk mund të hyhet në mënyra të tjera.

 Prandaj, përdorimi i ambulancës ajrore është mënyra më e mirë për të arritur deri te vendi ku ka ndodhur fatkeqësia natyrore, siç janë ortekët e borës, aksidentet në masë, etj, kriter të cilin Kosova ende nuk e plotëson në krahasim me vendet e rajonit. Drejtori i Klinikës Emergjente të Kosovës, Basri Lenjani, ka thënë për Kosovapress, se Klinikës Emergjente, i nevojitet modernizimi, avancimi, dhe fuqizimi i shërbimeve emergjente. Ndërsa, Blerim Syla, Kryetari i Federatës së Shëndetësisë së Kosovës, konsideron se arritja e pacientit me kohë në QKUK ose në qendra të tjera rehabilituese është qëllim parësor, andaj e ka quajtur të nevojshme rregullimin e nevojave të Klinikës Emergjente, duke i shtuar edhe helikopterin. Lenjani, ka treguar se mënyra më e mirë e shpëtimit të njerëzve nga fatkeqësitë natyrore dhe aksidentale është përdorimi i ambulantes ajrore që nuk e posedon Kosova.
Lenjani: Mënyra më e mirë është përdorimi i ambulancës ajrore
“Çka do të ndodh në rast se kemi ndonjë fatkeqësi madhore në ortekët e borës, aksidentet në incidentet në masë, ose kur numri i të lënduarve është shumë i madh dhe numri i të lënduarve për të arritur në vendin e ngjarjes është e pa mundshme dhe mënyra më e mirë është përdorimi i ambulancës ajrore. Këtë kriter për momentin Kosova ende nuk e plotëson”, ka thënë Lenjani. Ai ka shtuar se kontributi i tyre për posedimin e helikopterit ishte përgatitja e projektit ideor për rritjen e kapaciteteve për shërbime emergjente, krijimin e kushteve trajtuese në nivel bashkëkohor, që sipas tij, sado që të jetë numri i të sëmurëve dhe të lënduarve kjo qendër e re të mund t’i pranoi në çdo kohë dhe në çdo moment në mënyrë që t’u ofrohet shërbimi emergjent në minutat e arta.
Ai ka treguar se këtë projekt ideor e kanë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, të protokolluar dhe të regjistruar, si ide. “Të paktën unë si shërbim emergjent, në qoftë se më paraqitet nevoja për një transfer, apo për tërheqjen e të lënduarve në vendin e ngjarjes do të ishte shumë më mirë prezenca e helikopterit e cila do të bënte zgjidhje adekuate për një transport komod të shpejt të paktën që të ofrohet kujdesi emergjent në minuat e arta”, ka theksuar Lenjani.
Edhe Blerim Syla, Kryetari i Federatës së Shëndetësisë së Kosovës, ka thënë për Kosovapress se duke u nisur nga përditshmëria dhe nga rritja e fluksit të madh të makinave dhe të fatkeqësive të tjera natyrore dhe nga reliefi i Kosovës, është i domosdoshëm helikopteri për emergjencë.
Ai ka thënë se nuk i kanë numëruar rastet e shumta që ndodhin dhe të cilat janë fatale, mirëpo, thotë se një pacient mundet për dy deri në tre minuta të shpëtoi jetë nëse arrin me kohë në shërbimin emergjent.
Syla: Dy deri në tre minuta mund të shpëtojë jetë
“Mund ta marr një rast sepse një pacient mundet për dy deri në tre minuta të shpëtoj jetë nëse arrin me kohë. Ne kemi raste të shpeshta kur ata mbërrijnë me vonesë dhe fal kësaj nuk mundemi edhe të intervenojnë dhe helikopteri është një mjet punë në Evropë. Unë kisha me marr Bukureshtin e cila i ka dyfishin e banorëve, mirëpo, ka 3 helikopter që veç janë në gatishmëri. Mirëpo, kësaj duhet t’i shtohen edhe ekipet e specializuara të cilat prej një deri tre muajsh mund të shpëtojnë shumë njerëz”, ka pohuar Syla.
Megjithëse, Syla ka thënë se helikopterit duhet t’i shtohen edhe ekipet e specializuara të cilat duhet të përkujdesen për pacientin në ambulancën ajrore, Lenjani, ka thënë se Klinika Emergjente mund ta ofroi asistencën e tyre funksionale në aspektin profesional mjekësor, ndërsa, në aspektin teknik ka shtuar se iu takon Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë që ta funksionalizojnë projektin.
Drejtori i Emergjencës, ka treguar se tani për tani rastet të cilat kanë nevojë për ambulancë ajrore, i ndihmojnë mekanizmat ndërkombëtarë, siç janë forcat e KFOR-it të cilat gjithmonë sipas tij iu janë përgjigjur thirrjeve të tyre.
Lenjani: Forcat e KFOR-it, gjithmonë janë përgjigjur
“Të gjitha rastet që kanë nevojë për ambulancë ajrore, ne shfrytëzojmë mekanizmat ndërkombëtarë, forcat e KFOR-it të cilat çdo herë që Klinika Emergjente ka pasur nevojë i janë përgjigjur thirrjeve tona kur rasti ka qenë i natyrës së rëndë kur Kosova nuk ka pasur mundësi të ofrimit të kujdesit së ndonjë trajtimi substancionalistik, pastaj, janë dërguar me ambulanca ajrore. Në aspektin e qeverisë tonë dhe të shtetit mundësitë e tilla nuk ekzistojnë, unë mendoj se Kosova ka kapacitete edhe profesionale edhe mjekësore edhe për ta menaxhuar këtë komponentë shumë të rëndësishme për shërbime emergjente, mirëpo, mbetet që kjo iniciativë të filloj në nivel kombëtarë por jo në nivele lokale”, ka shtuar Lenjani.
Megjithatë, edhe Blerim Syla edhe Basri Lenjani, kanë thënë se është koha e fundit që kjo punë të merret seriozisht në nivel kombëtar duke thënë se nuk është kosto shumë e lartë në krahasim me jetën e njerëzve.
Lenjani ka thënë nuk duhet të varen më nga donatorët e shtetit të Kosovës, po shteti duhet të plotësoi nevojat e qytetarëve për rastet emergjente. Ai ka thënë se për ta siguruar ambulancën ajrore nuk është problem, mirëpo problemet tjera janë kostoja financiare e mirëmbajtjes së helikopterit, kosto financiare e edukimit të stafit, etj.
“Kostoja financiare mund të sillet, një ambulancë ajrore që mund ta gjeneroj çmimin tre deri në 5 milionë po varësisht nga tipi apo lloji i ambulancës ajrore, se ekzistojnë edhe standardet që mund t’i plotësoj një shtet 345 është një ambulancë ajrore e tipit të avancuar, që e kanë shtetet e moderuara, shtetet e avancuara, që kanë buxhet se për mirëmbajtjen e ambulancës ajrore, jo vetëm që kërkohen kushtet teknike por edhe kushtet financiare për mirëmbajtje”, ka treguar Lenjani.
Kurse, Blerim Syla ka shtuar se kur të rregullohet emergjenca në Kosovë atëherë rregullohen edhe gjërat e tjera në shëndetësi. “Unë them shpesh kur ta rregullojmë emergjencën i rregullojmë edhe gjerat tjera në shëndetësi, andajështë qëllim parësor që pacienti të arrijë me kohë në QKUK apo edhe në qendrat e tjera rehabilituese. Andaj, Kosova është i vetmi vend në rajon po shpresoj se do të senzibilizohen edhe qeveritarët që ta bëjnë këtë gjë”, është shprehur Syla.
Megjithatë, Menaxhimi i situatave emergjente në Kosovë ende vazhdon të jetë në nivel jo të kënaqshëm, si pasojë e disa mungesave të cilat nuk i plotësojnë institucionet përgjegjëse për menaxhimin e tyre.
Kosova ende mbetet vendi i vetëm në rajon duke mos poseduar ambulancë ajrore, që cilësohet të jetë mënyra më e mirë për të arritur me kohë te vendi ku kanë ndodhur aksidentet, fatkeqësitë natyrore ku ka shumë të lënduar dhe ku nuk mund të arrihet me ambulancë tokësore. Tani për tani, mbetet vetëm vullneti i mirë i donatorëve të Kosovës që të ndihmojnë Klinikën Emergjente që t’u përgjigjen këtyre rasteve në ndihmë, pasiqë një pjesë e këtyre aksidenteve janë fatale shkaku i mos posedimit të helikopterit dhe mos arritja me kohë te pacienti në minutat e arta.

Lini një koment