Kalo te lënda

Ndaj sjelljes së policëve 1.500 ankesa në Inspektorat

fotoNjë mijë e 500 ankesa kanë shkuar në Inspektorati Policor i Kosovës për sjelljet dhe veprimet e kundërligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës vetëm gjatë vitit 2013.

Nga këto ankesa, 804 kanë qenë disiplinore të profilit të ultë, 5 të profilit të lartë dhe 241 ankesa me elemente penale. Ndërkaq, 328 Policë janë duke u hetuar nga IPK-ja. Këto të dhëna janë bërë të ditura në një raport të punës të prezantuara nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Fitim Shishani, ka thënë se në këtë Inspektorat prej vitit që shkoi kanë ndryshuar shumë gjëra në të mirë të institucionit dhe rritjes së profesionalizimit në të, falë trajnimeve më të mira e buxhetit më të lartë.

Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, u shpreh se Inspektorati Policor i Kosovës ka arsyetuar mjaft mirë investimet që janë bërë në të. Ky Inspektorat, sipas tij, është bërë më i besueshëm për qytetarët e Kosovës.

Ai ka përmendur shtrirjen e Policisë së Kosovës edhe në Mitrovicë, për të rritur, siç tha ai, besimin e qytetarëve edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Lini një koment