LDK e do FAK-un pas zgjedhjeve, VV kundër kushtëzimit të minoriteteve
Derisa kryeministri Hashim Thaçi ka proceduar në Kuvend propozimet për ndryshime kushtetuese në fushën e sigurisë, partia më e madhe opozitare, LDK-ja, thotë se nuk do t’i votojë pa përfundimin e zgjedhjeve, për të cilat janë marrë vesh me kryeministrin që të mbahen në qershor.
Zyrtarë të LDK-së thonë se janë pro shndërrimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, por vlerësojnë se çështja e FSK-së dhe shumë të tjera, që kërkojnë hapje të Kushtetutës, do të mund të presin deri në mandatin e ardhshëm, raporton KTV, transmeton Koha.
Për Lëvizjen Vetëvendosje, kushtëzimi i shndërrimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës me vendet e rezervuara në Kuvend – që i kanë bërë ministrat nga radhët e minoriteteve – janë dy çështje nuk duhet të lidhen fare.
Visar Ymeri nga ky subjekt politik ka thënë se është shumë e vështirë për të kontrabanduar një gjë për të cilën të gjithë tashmë janë deklaruar kundër. Sipas tij, kushdo që e pranon Kosovën republikë, nuk do të duhej të ishte as kundër ushtrisë.
Ndërkohë, për AAK-në, arritja e shumicës së dyfishtë në Kuvend do të jetë shumë e vështirë nga pozita, për të cilën thonë se nuk i kanë as 61 vota aktualisht.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se deputetët nga radhët e AAK-së do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese për të shndërruar FSK-në në FAK, derisa vendimin e Qeverisë e ka quajtur vetëm piktoresk dhe për fushatë politike. /KTV/Koha/