Kalo te lënda

Krasniqi e quan të jashtëligjshme kërkesën e pakicave

403x302168171krasniqiPërfaqësimi i komuniteteve pakicë në institucionet e Kosovës, është përfaqësimi më i mirë në të gjitha vendet e Evropës. Kështu është shprehur kryeparlamentari Jakup Krasniqi në një prononcim për Radio Kosovën, i pyetur rreth kërkesës së djeshme të dy ministrave të pakicave, të cilët në mbledhjen e Qeverisë kërkuan që krahas ndryshimeve kushtetuese sa i përket sektorit të sigurisë, të përfshihet edhe propozimi i tyre, e që ka të bëjë me vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicat.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës e quan të jashtëligjshme kërkesën e pakicave që në kuadër të ndryshim-plotësimit të Kushtetutës, të përfshihen edhe kërkesat e pakicave për vendet e rezervuara. Në një prononcim për Radio Kosovën, Krasniqi tha se kërkesat e tyre janë në kundërshtim me dokumentin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit.

 

“Pakicat nuk kanë të drejtë ta bëjnë kërkesën që janë duke e bërë. Ata i kanë pasur dy mandate me dokumentin gjithëpërfshirës dhe ato dy mandate tani përfundojnë dhe kërkesat e tyre janë të jashtëligjshme dhe që nuk përkojnë me ato të drejta që i  kanë pasur me dokumentin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari”, tha Krasniqi, për Radio Kosovën.

 

Kreu i Kuvendit theksoi se komunitetet në Kosovë janë të përfaqësuara në institucionet e shtetit më mirë sesa në çdo vend tjetër evropian. Këtë kërkesë të pakicave, kryeparlamentari Krasniqi e konsideron të dëmshme për vetë Kuvendin.

 

“Përfaqësimi i komuniteteve pakicë në institucionet e Kosovës e në mënyrë të veçantë në Kuvend, është përfaqësimi më i mirë në të gjitha vendet e Evropës, duke përfshirë edhe vendet e BE-së dhe konsiderojmë se kërkesat e tyre që të vazhdohet me vendet e rezervuara, jo të garantuara, është në dëm të funksionimit demokratik të legjislativit”, tha Krasniqi.

 

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme, aprovoi amandamentet për plotësim-ndryshimet kushtetuese, me të cilat ndryshon formati dhe mandati i FSK-së në Forcave të Armatosura të Kosovës. Këtë rast e shfrytëzuan dy ministra nga komunitetet pakicë për të përsëritur kërkesën që në kuadër të këtyre ndryshimeve, të përfshihet edhe kërkesave e pakicave, që ka të bëjë me vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë.

 

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se nëse amendamente të tilla i dorëzohen Kuvendit nga ana e Qeverisë, ai fillimisht do t’i dërgojë ato në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Lini një koment