Jahjaga: Rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në mbledhjen inauguruese të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, theksoi pesha e vuajtjeve dhe pasojave të luftës vazhdon të rëndojë ende sot mbi të gjithë ne. Ajo theksoi se pa dyshim që kjo peshë është edhe më e rëndë për të gjithë ata burra e gra dhe për familjet e tyre që ishin viktima e pre të torturave mizore.
Ajo tha se Këshilli kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, të cilin e ka themeluar me dekret të veçantë është bërë me synim bashkërendimin e aktiviteteve të institucioneve dhe agjencive, në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimit të tyre, për të rehabilituar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Në rrugën drejt realizimit të së drejtës për të jetuar të lirë dhe të barabartë, shumë jetë u shuan, shumë ëndrra u lanë përgjysmë. Ne gjetëm forcën e përkushtimin dhe morëm përsipër që të ndërtojmë një shtet ku të gjithë qytetarët të jetojnë të lirë e të barabartë. U betuam që ta shndërrojmë Kosovën në një vend të mundësive të mëdha për të gjithë qytetarët e saj pa dallim”, u shpreh Jahjaga.
Ajo vlerësoi se janë të njëjtat parime që na udhëheqin të vazhdojmë përpjekjet tona të pareshtura për t’ju dhënë vendin e duhur dhe për t’i nderuar të gjithë ata që u sakrifikuan, që ne sot të jetojmë në një Kosovë të lirë dhe në paqe.
“Jemi mbledhur për të shprehur vullnetin e mirë dhe përkushtimit tonë për të adresuar pasojat e luftës mbi viktimat civile të dhunës seksuale. Pasi dhuna seksuale dhe forma të tjera të dhunës të ushtruara mbi civilë gjatë konflikteve të armatosura përbëjnë krim të luftës dhe janë thyerje e drejtpërdrejtë e Konventës së Gjenevës dhe Protokollit të parë, e cila është e inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës. Pasojat e rënda të këtij mjeti lufte që u përdor për të cenuar dinjitetin e viktimave, për të ngjallur ndjenjën e frikës dhe të shtypjes, për të nxitur shpërnguljen dhe për të zhveshur një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore, po vazhdojnë të rrënojnë jetën e viktimave dhe familjarëve të tyre”, i shpreh presidentja e vendit.
Ajo tha se pesëmbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës, tema e viktimave të dhunës seksuale mbetet ende një temë tabu për t’u adresuar.
“Të mbijetuarit e dhunës seksuale vuajnë ende nga një gjendje e rëndë psikologjike, sociale dhe ekonomike, prandaj kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve dhe shoqërisë për t’u përballur me një realitet të rëndë në të cilin e gjejnë veten, jo për fajin e tyre. Nuk kemi akoma një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por mendohet që numri i tyre të jetë deri në 20.000. Dhe është pak e rëndësishme se sa është numri i tyre, sepse qoftë edhe një viktimë e kësaj dhune kërkon vëmendjen tonë”, tha presidentja, duke shtuar se statusi ligjor i kësaj kategorie nuk është njohur akoma, ndërsa ka mbizotëruar një kulturë e pandëshkueshmërisë së përgjegjësve të këtyre krimeve.
Ndryshe u tha se ky Këshill do të jetë i kufizuar në kohë dhe puna e tij do të kontribuojë në dokumentet ndërkombëtare dhe strategjitë kombëtare që e adresojnë këtë lloj të dhunës. /Telegrafi/