Ahmeti i përgjigjet Haradinajt, “Pandora” një objekt pa leje
Prishtinë, 7 mars – Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i është përgjigjur deputetit Daut Haradinajt, i cili kishte kërkuar nga Ahmeti të publikojë emrat e pronarëve të objektit shumëkatësh të njohur si “Pandora” në Lagjen “Arbëria”, në kryeqytet.
Kreu i Prishtinës ka treguar nëpërmjet një letre emrat e pronarëve të kësaj ndërtese. “Objekti në fjalë është ndërtim pa leje, i cili ka leje urbanistike për një ndërtim përdhes plus një kat. Objekti ka më shumë kate sesa që është lejuar dhe në vitin 2006 kanë kërkuar leje, por ajo është refuzuar për shkak se nuk i përmbushë kushtet që të pajiset me leje”, thuhet në letër.
“Pronarët e ngastrave kadastrale janë Sami Avdiu, Hate Avdiu, Shefqet Avdiu, Ahmet Avdiu, Albiana Avdiu, Ajet Avdijaj, Valmira Morina dhe Agim Ymeri. Të njëjtit kanë aplikuar edhe për leje. Nuk kemi informata mbi investitorët në ndërtim, sepse është ndërtim pa leje”, thuhet në letër-përgjigjen e kryetarit të Prishtinës drejtuar, Daut Haradinajt.
