PDK sërish nё krye tё UP-sё?!
Nga Besnik Boletini besnik.boletini@preportr.com. Pretendenti kryesor për u.d. të rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Abdullah Zejnullahu, është përkrahës i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë i pranishëm në tubime elektorale të kësaj partie nё zgjedhjet e fundit lokale. Ai poashtu, sikur edhe paraardhësi i tij, Ibrahim Gashi, ka publikuar punim nё revistë tё dyshimtë shkencore.
Partia Demokratike e Kosovёs (PDK) nuk e ka ndërmend qё ta lëshojё nga duart kontrollin e Universitetit tё Prishtinёs, “Hasan Prishtina”. Kandidati i cili ka marrё mё sё shumti vota nga Senati i UP-sё, Abdullah Zejnullahu, pёr pozitën e ushtruesit tё detyrës sё rektorit tё UP-sё, ёshtё përkrahës i Partisё Demokratike tё Kosovёs, PDK. Preportr ka gjetur se Zejnullahu, në fushatën e fundit zgjedhore për zgjedhje lokale, ka qenë i pranishëm në tubimin elektoral të PDK-së nё Komunёn e Vitisё.
Preportr ka shikuar disa nga tubimet elektorale të PDK-së, dhe në njërin nga tubimet e kësaj partie që është mbajtur në qytetin e Vitisë, shihet Abdullah Zejnullahu duke duartrokitur, derisa kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, mbante fjalim dhe promovonte kandidatin Nexhmedin Arifi.
Zejnullahu në garën për u.d. të rektorit të Universitetit të Prishtinës ka marrë 27 votat e Senatit, ndërsa kundërkandidati i tij, Naser Zabeli, ka marrë 25. Tash i mbetet Këshillit Drejtues të UP-së që të zgjedh u.d. të rektorit njërin nga dy kandidatët në garë. Abdullah Zejnullahu, që është profesor i rregullt në Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, ka qenë edhe kryesues i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prizrenit.
Zejnullahu, që është sugjeruar për u.d. tё rektorit të Universitetit të Prishtinës, sipas gjetjeve tё Koha Ditore, rezulton se ka publikuar punime shkencore në një revistë që ka status të njëjtë me atë ku kishte publikuar ish-rektori që dha dorëheqje për shkak të tё njëjtit skandali, Ibrahim Gashi. Ashtu sikurse edhe Zejnullahu, edhe ish rektori i UP-sё, Ibrahim Gashi, kishte marrё pjesё nё tubime elektorale tё zgjedhjeve tё fundit lokale përkrah kryeministrit, Hashim Thaҫi. Gashi ishte munduar qё ta arsyetonte pjesëmarrjen nё tubimin elektoral nё Llapushnik, duke thёnё se: “si qytetar i Llapushnikut ka lobuar për ndërtimin e një mbikalimi në këtë lagje“.
Zejnullahu është bash-kautor i “punimit shkencor” me titull “Shënime për gjysmëgrupet drejtkëndore”, të publikuar në revistën “International Journal od Scientific & Engineering Research” në volumin 4 të publikuar në vitin 2013. Kjo revistë konsiderohet false, njësoj sikurse revista indiane, ku kishte publikuar punimet e tij shkencore ish-rektori Ibrahim Gashi./standardi.info
Videot
|
|