Kalo te lënda

Kosova sot ndeshet me Haitin

67D3A6A6-2C86-4AB6-8A15-98FBCA2F459E_w443_r1Përfaqësuesja e Kosovës në futboll zhvillon sot ndeshjen e parë ndërkombëtare me kombëtaren nga Haiti.

Ndeshja zhvillohet në Mitrovicë, në stadiumin “Adem Jashari”, në orën 15:00.

Organizatorët kanë konfirmuar tashmë se janë shitur mbi 17 mijë bileta, aq sa ka kapacitet ky stadium për të përcjellë këtë ndeshje.

Për këtë takim që do të zhvillohet sot në një mot me shi dhe me temperaturat që pritet të sillen nga 5 – 8 gradë celsius, mbretëron interesim i jashtëzakonshëm në gjithë Kosovën dhe diasporë.

Mediat e kanë plasuar si ngjarjen kryesore të ditës, kurse interesimi i adhuruesve të futbollit ishte shumë i madh për të përcjellë ndeshjen, por se stadiumi në Mitrovicë nuk ka kapacitet të pranojë më shumë veta.

Përfaqësuesja e Kosovës, përbëhet nga 21 lojtarë që luajnë jashtë Kosovës dhe vetëm 1 nga Superliga vendore.

Seleksionuesi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki e ka simbolizuar ndeshjen e Kosovës me Haitin  “sikur hapi i parë në një garë 10 mijë metra”.

Ky takim u mundësua pasi Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) i lejoi Kosovës zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare miqësore.

Nga përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, kjo ndeshje është vlerësuar si historike dhe si një mesazh për botën se “ futbolli në Kosovë nuk ka lindur sot, por ka një traditë që prej vitit 1922”.

Aktualisht, FIFA ka lejuar Kosovën të zhvilloj vetëm ndeshje miqësore, por synimet janë që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota dhe të përfshihet edhe në garat për kualifikimet për kampionatin botëror më 2018 dhe atë evropian më 2020.

Lista prej 22 futbollistëve të Kosovës të ftuar nga seleksionuesi Bunjaki:

Portierë: Samir Ujkani, Kushtrim Mushica, Julian Bibelaj.

Mbrojtës: Avni Pepa, Lorent Sadiku, Lum Rexhepi, Shkodran Metaj, Shpëtim Hasani.

Mesfushorët: Ardian Gashi, Anel Rashkaj, Fanol Prededaj, Enis Alushi, Liridon Krasniqi, Kristian Nushi, Enis Bunjaku, Faton Toski, Shpëtim Hasani, Flamur Kastrati.

Sulmuesit: Albert Bunjaku, Ilir Azemi, Alban Bunjaku, Bersant Celina.

Lini një koment