Analistët nuk shohin risi në partinë e Limajt e Krasniqit
Analistët nuk shohin risi në krijimin e partisë së Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit “Nisma për Kosovën” , mirëpo nuk kanë mohuar dëmin që këto dy figura mund ti shkaktojnë Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas tyre, partia më e re ende nuk ka ofruar ndonjë program në vija të trasha që ofron diçka ndryshe nga ajo e PDK-së. Arbana Xharra nga gazeta Zëri thotë se është kontestues emri “Nisma” pasiqë këto dy figura ka kohë që janë prezentë në skenën politike. Sipas saj vlen të përshëndetet Jakup Krasniqii cili ka folur me emra dhe për të gjithë pakënaqësitë ,gjë që nuk është bërë nga z. Limaj. E opinionisti Agon Maliqi, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, të vetmen gjë që sheh ndryshe është thjesht një parti tjetër. Ai thotë se deri më tani nuk kemi parë ndonjë program. Sipas tij, kjo parti nuk është e natyrës programore, por është çështje “hesapesh”. Arben Ahmeti nga gazeta Tribuna tha se partitë të cilat janë mësuar të funksionojnë vetëm më të parin, ka gjithnjë pakënaqësi. Kjo ka ndodhur edhe me LDK, e tash po ndodhë edhe në PDK. Nuk është që do të sjellin diçka ndryshe, madje qëllimi i tyre nuk është të marrin elektorat jashtë PDK-së. Opinionisti, Avni Mazreku thotë se Limaj i ka sjellur prurje Partisë Demokratike më shumë se secila figurë tjetër brenda PDK-së, andaj kjo do ta dëmtojë Partinë Demokratike.
E sa i përket suksesit që mund të ketë “Nisma për Kosovën”, Arben Ahmeti thotë se parimisht njerëzit do ta kenë problem ti bashkohen Nismës duke mos përjashtuar autoritetin e Limajt në Dukagjin, mirëpo mendon se kjo parti do ta ketë vështirë ta krijojë identitetin e saj. Të pyetur nëse Jakup Krasniqi duhet ose jo të japë dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit analistët vlerësuan se Krasniqi do të duhej të jepte dorëheqje qysh në kohën kur ka filluar të kritikojë PDK-në, meqë është koha të shkëputet nga kjo parti. Megjithatë, ata e kanë parë si të domosdoshme krijimin e një partie të re, për shkak të pozicionit që kanë pasur kohëve të fundit Limaj e Krasniqi brenda Partisë Demokratike të Kosovës.
E sa i përket koalicioneve të mundshme në mes “Nismës Për Kosovën” dhe partive të tjera, Arbana Xharra e ka parë më afër me Lëvizjen Vetëvendosje./Indeksonline/