Thaçi në hijen e Veselit
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli bashkë me shefin e tij, Hashim Thaçin, sot kanë vizituar Ferizajn ku janë takuar me elektoratin e kësaj komune.Numri dy i PDK-së me këtë rast ka postuar një fotografi në Facebook, ku shihet duke mbajtur fjalim, ndërsa në sfond shihet kryeministri , Hashim Thaçi.
Veseli me këtë rast ka vlerësuar se shembulli më i mirë i një qeverisje zhvillimore, është ajo e dy mandateve të kaluara në Ferizaj.
“Shembull i mirë i një qeverisje të përgjegjshme është Ferizaj, ku Partia Demokratike e Kosovës në dy mandatet e saja bëri një ndryshim zhvillimor të pakrahasueshëm me shumë prej komunave tjera. Qyteti i Ferizajit sot, tregon më së miri se liria është zhvillim i natyrshëm dhe plotnim i mundësive qytetare për të realizuar veten, familjen dhe shtetin”, ka thënë Veseli në një takim me elektoratin e kësaj komune.
Pavarësisht vlerësimit të Veselit, qytetarët e kësaj komune duket të mos jenë mjaftuar me punën që është bërë atje, pasi në zgjedhjet e fundit lokale, ata nuk ia vazhduan mandatin qeverisës kësaj partie.