Kalo te lënda

Ministria e pranon se në Milloshevë ka plumb e zink

403x302167383DD_467563888Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka pranuar se në mbetjet e sjella nga Trepça në Milloshevë të Obiliqit ka edhe elemente të plumbit dhe të zinkut, të rrezikshme për ambientin.

Gjithë këtë e kishte bërë kompania, Geokos, pronë e Nuredin Humollit dhe Nazmi Dragushës. KTV-ja ka mësuar se njëri nga djemtë e familjes Dragusha është dhëndër i Gani Thaçit, vëllait të kryeministrit Hashim Thaçi.
Deponia e metaleve të sjella nga “Trepça” në Milloshevë ka vepruar ilegalisht që nga 2011-a.
Mbetjet e metaleve të rrezikshme u sollën aty nga kompania “Geokos”, e cila nuk ka leje, sepse një e tillë i është refuzuar nga Ministria e Ambientit.
Arsyetimi kryesor ishte se ky aktivitet është i rrezikshëm për mjedisin dhe shëndetin e banorëve dhe lartësia e përmbajtjes së elementeve kimike të dëmshme ka qenë e tejkaluar.
Këtë e kanë konfirmuar për KTV-në zyrtarë të ministrisë. Në muajin prill të 2011-ës inspektorët e ministrisë pasi kishin bërë shikimin e vendngjarjes kishin urdhëruar kompaninë të ndërpresë menjëherë aktivitetin e bartjes së mbetjeve industriale dhe vendosjen e tyre në këtë hapësirë bujqësore.
Meqenëse i ishte refuzuar leja dhe i njëjti nuk kishte përfillur urdhrin e Ministrisë së Ambientit, kjo e fundit i kishte bërë padi në Gjykatë për mosrespektim të vendimit të ministrisë.
Lënda vazhdon të jetë aty ku ka nisur.
Asgjë nuk mund të bëhet pa marrë vendimin e Gjykatës, ka thënë zëvendësministri Ferat Shala.
Por, kur ministria kishte bërë padinë, nuk i ka bërë fare kërkesë Gjykatës për masën e përkohshme, çka nuk do të lejonte kompaninë.
“Kjo masë gjyqësore ka efektin të ekzekutohet menjëherë pa pasur nevojë të pritet vendimi i gjykatës”, ka sqaruar për KTV-në avokati Tomë Gashi.
Ish-drejtori i Trepçës që ka qenë edhe udhëheqës i Drejtorisë së kundërzbulimit të SHIK-ut, ka mohuar çfarëdo implikimi të tij kur ky material ishte blerë sa ai e udhëhiqte “Trepçën”.
KTV-ja ka mësuar se njëri nga djemtë e familjes Dragusha është dhëndër i Gani Thaçit, vëllait të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Këtë e ka pranuar edhe Adem Dragusha, por është arsyetuar se çdo kush mund të jetë dhëndër i dikujt.
Ai gjithashtu është një nga donatorët e Partisë Demokratike të Kosovës, në vitin 2010 kishte dhënë 500 euro për fushatën e partisë në pushtet.
Së pari, persona në pompën e benzinës, që është pronë e familjes Dragusha, kanë thënë se toka është e lëshuar vetëm me qira për dikë.
Por, më pas vetë Adem Dragusha ka pranuar se ajo nuk është me qira, madje ka thënë se nuk ka kërkuar leje nga ministria, sepse mbetjen e metaleve e ka hedhur në tokën e tij.
Ai ka pranuar se ka eksportuar rreth 300 mijë tonë mbetje të xeheve të Trepçës në Kinë, përmes Malit të Zi.
Kohavisioni ka kuptuar se një gjë e tillë kompanisë i ishte refuzuar ta bënte përmes Greqisë, për shkak të përmbajtjes së materialit eksportues.
Mbetjet e këtyre metaleve përdorën për prodhimin e baterive dhe municionit ushtarak.
Ai madje thotë se po bën mirë dhe po e pastron Kosovën nga mbeturinat e tilla, megjithëse një gjë e tillë ka përfitime të mëdha materiale.
Komuna e Obiliqit, në territorin e të cilës është kjo deponi, ka paralajmëruar masa.
Mbetjet e plumbit, zinkut e elementeve të tjera kimike janë të rrezikshme për ambientin, sidomos për tokën dhe ato kontaminojnë ambientin përmes tokës dhe ujërave nëntokësore.
Pas luftës në kampin “Osterode” dhe të tjerë të komunitetit RAE në veri të Mitrovicës kishin vdekur 81 persona, për shkak të kontaminimit me plumb dhe materie të ndryshme.

Lini një koment