Dogana për dy muaj 100 milionë euro
Mbi 100 milionë euro të hyra ka mbledhur Dogana e Kosovës për vetëm dy muaj. Kështu duke thyer rekord në mbledhjen e të hyrave, ngase kjo është hera e parë që parashikimi i tyre arrin të tejkalohet për 12 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Nëse krahasohen të hyrat me vitin e kaluar kjo paraqet një rritje 12.8 milionë euro, sepse gjatë vitit të kaluar (2013) Dogana kishte mbledhur 93.3 milionë euro kurse tani në të njëjtën periudhë Dogana ka arritur të mbledhë 106.1 milionë euro. Dogana e Kosovës sipas trendeve aktuale, deri në fund të vitit 2014 do të arrij rekord në mbledhjen e të hyrave, të cilat për këtë vit pritet të janë mbi 930 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Dogana vlerëson se arsyet e kësaj rritje janë të ndryshme, por një ndër faktorët që ka ndikuar direkt në rritjen e performacës së organizatës është edhe reforma e aplikuar në regjionalizimin e institucionit.
Gjithashtu besojnë se ka ndikuar edhe rritja e kontrolleve kufitare, luftimi i kontrabandës si dhe rritja e përmbushjes vullnetare nga bizneset e përgjegjshme, kanë ndikuar në rritjen direkte të të hyrave. /Telegrafi/