Për Forcat e saj të Armatosura vendos vetë Kosova
NATO mbështet Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK) në formatin aktual, që nuk përfshin përdorimin e kësaj force si njësi luftarake, citon agjencia serbe e lajmeve, Tanjug, burime në Bruksel.
“NATO nuk vendos për strukturën, mandatin dhe misionin e Forcës së Sigurisë të Kosovës” , citon Tanjugu funksionarin e NATO-s i cili ka dashur të mbetet anonim, i cili ka shtuar se “kjo është punë e Qeverisë së Kosovës”. Autoritetet e Kosovës vetë vendosin nëse do ta transformojnë FSK-në në ushtri konvencionale, ka deklaruar burimi në NATO i kësaj agjencie serbe të lajmeve.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar kohë më parë se FSK së shpejti do të riemërtohet Forca e Armatosur e Kosovës, përkatësisht ushtri dhe se për këtë ka mbështetjen e plotë të NATO-së. FSK është një formacion që ka 2.500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervë, mandati i të cilës përfshin aktivitete nga fusha e mbrojtjes civile dhe ndihmës popullsisë në rast fatkeqësish elementare.
Sipas Planit të Ahtisaarit, që e kishte miratuar Kosova, pjesëtarët e këti formacioni mund të ketë vetëm armë të lehta zjarri. Thaçi dhe ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, kanë paralajmëruar transformimin e FSK-së në ushtri konvencionale, me të gjitha atributet që e përbëjnë atë.