Mustafa: Qershori, periudha më e mirë për zgjedhje
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se partia të cilën ai e drejton, po punon që të ofrojë një program qeverisës për Kosovën, i cili do të jetë tërheqës dhe i pranueshëm nga qytetarët e Kosovës.
“Programi ynë ka të bëjë kryesisht me zgjidhjen e problemeve, zhvillimin ekonomik, punësimin, uljen e varfërisë, funksionimin e shtetit ligjor, të reformave. Ne do ta bëjmë sistemimin e arsimit dhe të shëndetësisë, dy fusha me rëndësi për të gjithë qytetarët si dhe plotësimin e kushteve për integrimet evropiane”, ka vlerësuar Mustafa, duke shtuar se ky subjekt politik është stabil dhe i mobilizuar plotësisht për fitore.
Mustafa ka vë në dukje se zgjedhjet duhet të jenë të përgatitura mirë dhe se qershori duhet të jetë periudha më mirë për zgjedhje. “Duhet përgatitje edhe të partive politike dhe të institucioneve, të cilat do t’i menaxhojnë zgjedhjet, siç është KQZ-ja. Do të ishte e mirë që të kalojë Ligji zgjedhor në Kuvendin e Kosovës, e po ashtu Kuvendi të aprovojë dhe të shqyrtojë disa prej çështjeve që duhet të bëjë, siç është çështja e misionit të EULEX-it dhe disa ligjeve e proceduarve tjera që janë në Kuvend e që duhet të kryhen tani”, ka thënë Mustafa.
Gjatë qëndrimit në Ferizaj, Isa Mustafa ka takuar strukturat drejtuese të Degës së LDK-së, Forumin e Gruas dhe atë të Rinisë.