Kalo te lënda

Kurti: Kosovës i duhet një qeveri tjetër

403x302166614kurtiKryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare është dashur të mbahen shumë më herët. Ai ka deklaruar se Kosova ka nevojë për një qeveri tjetër, e cila do të kishte synimin kryesor shtetndërtimin dhe zhvillimin ekonomik.

“Zgjedhjet e parakohshme do të duhej të mbaheshin që dje. Kosova ka nevojë për një qeveri tjetër. Një Qeveri, e cila do të kishte synimin kryesor shtetndërtimin dhe zhvillimin ekonomik dhe jo shtet të konsumatorëve por, një shtet të prodhuesve, i cili nuk do e vendoste Kosovën në pazare me Serbinë, por do të niste bisedimet në Tiranën për bashkimin kombëtar”, ka thënë Kurti në një intervistë për “Top Channel”.

Kurti ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel do ta destabilizojnë vendin. “Ne i druhemi destabilizimit të Kosovës në rast se zbatohen marrëveshjet. Pra Kosovën do e destabilizojnë zbatimi i këtyre marrëveshjeve dhe Kosovën do e stabilizojë vetëm pengimi i zbatimit të tyre të cilat bosnizojnë Kosovën dhe në të njëjtën kohë ne mendojmë që në mandatin e ardhshëm shpresojmë që të kemi një përbërje krejt të re, në mënyrë që t’i hedhim poshtë këto pazare personale të Thaçit me Daçiqin”, është shprehur Kurti.

Problemet me korrupsionin dhe veprimet e pandërgjegjshme të kësaj Qeverie sipas Kurtit nxjerrin në pah nevojën urgjente të një republike të tretë.

Kurti ka folur edhe për përpjekjet e opozitës për ta rrëzuar qeverinë Thaçi. “Duke qenë që kryetari i LDK-së Mustafa po mundohet që më marrëveshje të rrëzoi Qeverinë Thaçi këtu bëhet fjale për marrëveshje për parrëzim. Kjo për shkak se nuk mund të ketë rrëzim të qeverisë me marrëveshje. Vetëvendosje! që në dhjetor të vitit 2010 ka nisur mocionin për rrëzim të qeverisë, i cili nuk ka hasur në mirëkuptim të partive të tjera opozitare që formalisht janë në opozitë. Dhe tani kur ndodhemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie them se sa më pak që kjo Qeveri të jetë në pushtet aq më shumë rriten mundësitë për shtet dhe ndryshime në aspektin socio-ekonomik”, ka deklaruar Kurti./standardi.info

Lini një koment