Sulmi mbi autobusin Tiranë-Athinë, vdes një nga të plagosurit
Autobusi i linjës Tiranë-Athinë është sulmuar me armë, ndërsa nga të shtënat janë plagosur edhe dy pasagjerë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:20 në Mogila të Tepelenës, ku katër persona të armatosur i kanë zënë pritë autobusit me targa AA 578 GC, me 22 pasagjerë me qëllim për ta grabitur.
Në fillim grabitësit kanë qëlluar në ajër në mënyrë që autobusi të ndalonte, por shoferi ka rritur shpejtësinë dhe në këtë moment autorët kanë qëlluar me armë në drejtim të autobusit.
Nga të shtënat janë plagosur dy pasagjerët Laurent Tabaku 23 vjeç nga Elbasani dhe një 19-vjeçare, të cilët po marrin mjekim në spitalin rajonal të Fierit. Mësohet se pas të shtënave autobusi ka udhëtuar drejt Mallakastrës, ku është njoftuar edhe policia.
Menjëherë policia e Gjirokastrës dhe Tepelenës dhe dy grupe të FNSH-së kanë vijuar aksionin për kapjen e autorëve. Sipas informacioneve të fundit, policia e Gjirokastrës ka shoqëruar 4 persona si të dyshuar të grabitjes me armë të autobusit të linjës Tiranë-Athinë.
18:30- Vdes një nga të plagosurit
Nga burimet e policisë bëhet me dije se një nga të plagosurit ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit, por nuk jepen detaje se cila nga viktimat. Ndërkohë Policia e Shtetit ka ofruar 10 mijë euro shpërblim për personin që ofron informacion të vlefshëm, për identifikim dhe kapjen e autorëve të sulmit me armë. Policia ka vënë në dispozicion numrin O694102732, për këdo që ka informacione të vlefshme mbi ngjarjen.
Deri më tani janë shoqëruar në komisariat 10 persona për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, ndërsa janë marrë edhe dëshmitë e shoferit, menaxherit të linjës, dhe të 22 pasagjerëve që ndodheshin në autobus. Sipas policisë kërkimet për autorët e ngjarjes janë përqendruar në 4 komuna, Tepelenë, Kurvelesh, Luftinjë, Krastë, dhe Lozpez.