Kalo te lënda

Limaj, Haradinaj, Selimi, Lushtaku e Behxheti, në listën e zezë të SHBA-ve

limaj-haradinaj-selimi-lushtaku-e-behxheti-n-euml-list-euml-n-e-zez-euml-t-euml-shba-ve_2_hdNjeriu i dytë i Universitetit të Prishtinës, Nuri Bexheti, vazhdon të mbetet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për herë të fundit lista është përditësuar më 23 janar, vetëm një ditë para se Bexheti ta mohonte se është pjesë e saj.

Viti i lindjes 1962, vendi i lindjes – Tetovë – Maqedoni – individ nga Ballkani, është përshkrimi për Bexhetin. Ai është pjesë e listës së zezë që nga vitit 2001 me vendim të presidentit Bush, për shkak të të qenët pjesë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, raporton KTV.

Bexheti ka thënë se është mik i mirë me Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin dhe e ka pranuar se është dënuar nga Agjencia Kundër-Korrupsionit për mos deklarimin e pasurisë sa ishte këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Ramë Buja.

Paraprakisht, Bexheti ka qenë edhe këshilltar politik i ish-ministrit të Arsimit, Enver Hoxhaj, kurse në kohën e luftës në Kosovë ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, siç raporton KTV, edhe pse e përditësuar vetëm para pak ditësh, lista e kosovarëve endet mbetet nën shtetin Serbi dhe Mali i Zi. Në të vazhdojnë të figurojnë ende edhe deputeti i AAK-së dhe vëllai i liderit të kësaj partie, Daut Haradinaj, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ish-deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa – Remi, Gafurr Elshani i LKÇK-së, si edhe Marko Jaksic nga Mitrovica.

I pandryshuar ka mbetur edhe emri i deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj. Megjithatë, ky i fundit ka qenë ndërkohë në SHBA. /KTV/Koha/

Lini një koment