Kalo te lënda

Haga ia ulë dënimin Gjorgjeviqit – shteti serb kreu krime në Kosovë

fotoBKVNHQ47Tribunali i Hagës ia ka ulur dënimin shefit të Resorit për Siguri Publike të MUP-it të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq për krimet në Kosovë nga 27 në 18 vjet burg.

Gjorgjeviq më 23 shkurt të vitit 2011 ishte dënuar me 27 vjet burg.

Gjyqtarët pjesërisht e kanë pranuar ankesën e Gjorgjeviqit dhe e kanë liruar nga përgjegjësia për krime në disa lokacione të përmendur në gjykimin e shkallës së parë. Gjithashtu, trupi i ankesave ka vlerësuar se dënimi i shkallës së parë ka qenë i ashpër.

“Shkalla e parë kishte gabuar kur Gjorgjeviqin e shpalli fajtor për deportimin e popullatës shqiptare nga Peja dhe Mitrovica në Mal të Zi, duke e ditur që ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi nuk ekzistonte kufiri”, thuhet në sqarim.

Dënimi u ndryshua edhe për deportimin në disa fshatra në komunën e Skenderajt dhe Pejës. Gjorgjeviq u liruar edhe nga faji për vrasjen e dy të moshuarve në Podujevë dhe nëntë burrave shqiptarë në rrethinën e Rahovecit.

Me vendimin përfundimtar, megjithatë, u konfirmuar faji i Gjorgjeviqit në të cilat pikat e akuzës: për deportim, largim të dhunshëm, vrasje dhe persekutim të shqiptarëve nga Kosova në gjashtë muajt e parë të vitit 1999, kur ishte shef i Resorit për Siguri Publike i MUP-it serb dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme.

Këto vepra janë kualifikuara si krime kundër njerëzimit dhe shkelje e ligjeve të luftës.

Është konfirmuar se krimet janë kryer në kuadër të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, në krye të së cilës ishte ish presidenti i SR Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, me qëllim që të ndryshohet përbërja etnike duke larguar shumicën shqiptare nga Kosova, në mënyrë që të mbahet kontrolli serb.

Me ketë u konfirmuar që gjenerali Gjorgjeviq është përgjegjës për persekutimin e qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës, si dhe për vrasjen dhe bartjen e trupave të se paku 724 civilëve shqiptarë në varreza masive në Batajnicë, Petrovo Sello afër Kladovës dhe në liqenin Periçac në rrethinën e Bajne Bashtës.

Fshehjen e trupave si dëshmi për krimet e kishte urdhëruar ish presidenti i SR Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ka konfirmuar Gjykata.

Në fund të procesit të apelit vitin e kaluar, gjenerali Gjorgjeviq kishte konfirmuar se forcat serbe të sigurisë në Kosovë gjatë vitit 1999 kishin kryer krime ndaj shqiptarëve dhe u ka kërkuar falje viktimave dhe civileve të zhvendosur. (ORAinfo)

Lini një koment