Thaçi: Reforma zgjedhore të përfundojë në shkurt
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar partitë politike që pas mungesës së konsensusit për ndryshimet kushtetuese për vendet e rezervuara për komunitete në Kosovë, siç është shprehur ai, të arrihet marrëveshje në disa çështje sa i përket reformës zgjedhore, duke kërkuar që ky proces të përfundojë në fillim të muajit të ardhshëm.
“Pas mungesës së konsensusit të domosdoshëm për ndryshimet kushtetuese për vendet e rezervuara për komunitete në Kosovë, ftoj spektrin politik të Kosovës që t’i bëjmë reformat e nevojshme zgjedhore që garantojnë proces fer, transparent, demokratik dhe respektim të vullnetit të qytetarëve, si dhe të plotësojmë pritjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar kryeministri Thaçi në rrjetin social Facebook.
Lideri i PDK-së u ka bërë thirrje partive politike që t’i bëjnë marrëveshje politike mes subjekteve për të shkuar në zgjedhje dhe për të kryer reformën në pjesën e parë të muajit shkurt.
Thaçi ka kërkuar ndryshime ligjore të cilat nuk janë të mundshme pa e prekur Kushtetutën përsëri. Ai ka thënë se pasi s’ka pajtim për hapjen e Kushtetutës, atëherë duhet të preken ligjet në disa pika.
“Në këtë drejtim, tani na mbetet t’i bëjmë reformat e nevojshme ligjore, që prekin ligjin për zgjedhjet nacionale në disa fusha, për të cilat pres të arrijmë konsensus politik, por edhe aprovimin në Kuvendin e Kosovës, si: – Përcaktimi i kohëzgjatjes së fushatës elektorale, – Përcaktimi i numrit të kandidatëve në listat zgjedhore, – Përcaktimi i pragut zgjedhor, – Përcaktimi i të drejtës për votim me kusht dhe çështje tjera të rëndësisë së përbashkët të të gjithë spektrit politik. Ftoj spektrin politik që këto ndryshime t’i bëjmë në afatin e parë të mundshëm, në pjesë e parë të muajit shkurt”, ka shkruar Thaçi në Facebook, duke shtuar se PDK-ja shpreh gatishmërinë për pjesëmarrje në debate si dhe vullnet për arritjen e konsensusit politik.