Smakaj shpërndante teste për pranimin e njerëzve të tij në AKI
Nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi dorëheqja e Kujtim Qerimit, i cili deri tash ka shërbyer si shef i njësitit anti-terror në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. KTV-ja mëson se Qerimi është një nga pak njerëzit në AKI që nuk kanë hyrë dot nën vijën drejtuese të Bashkim Smakajt. Ky i fundit akuzohet për rekrutim të njerëzve të tij të afërt e të besueshëm, në mënyrë jashtëligjore. Ka kohë që Agjencia Kosovare e Inteligjencës është akuzuar se është shndërruar në strehën e njerëzve të afërt e të besueshëm të shefit të saj, Bashkim Smakaj. Pakënaqësia me funksionimin e këtij institucioni është shprehur prej shumë kohësh, por është injoruar gjithmonë.
Në mesin e shumë personave që janë larguar nga AKI-ja, listës këtë javë i është shtuar edhe Kujtim Qerimi, shef i njësitit anti-terror. Ai nuk e ka konfirmuar dorëheqjen, duke thënë se për këtë duhet folur zyrtarisht me AKI-në, por kthim prapa për të nuk ka.
Burimet e afërta me procesin i kanë thënë KTV-së se arsyeja e vetme e largimit të Qerimit është pakënaqësia e funksionimit të AKI-së me Bashkim Smakajn në krye. Ai, bashkë me një drejtor tjetër, janë të vetmit nga dhjetëra drejtorë që i kanë shprehur Smakajt pakënaqësinë me mënyrën e funksionimit të institucionit.
Kritikat për AKI-në nuk janë të reja dhe mandati i njeriut të preferuar të Thaçit është përshkruar me një sërë skandalesh. Siç merr vesh KTV-ja, gjatë gjithë kohës, vet Smakaj është angazhuar për të shpërndarë teste paraprakisht, në mënyrë që të pranohen njerëzit e tij të afërt.
Në disa raste, ai këtë e ka bërë nëpërmjet njeriut të tij më të afërt, Barlet Gashit, shef i Operacioneve në AKI, me të cilin ka punuar në Policinë e Kosovës.
Shumë punonjës janë pranuar pa e kaluar testin, disa janë pranuar pa e kaluar verifikimin e disa të tjerë janë pranuar pa hyrë fare në test.
Ka pasur raste edhe kur janë falsifikuar vlerësimet dhe në përgjithësi njerëzit e rekrutuar janë ata që kanë punuar paraprakisht me Smakajn në logjistikë, në prokurim dhe në ruajtjen e objekteve në punën paraprake të tij – në Policinë e Kosovës.
Smakaj po kërkon një mandat të dytë të krye të agjencisë së spiunazhit, pasi që ky mandat do t’i përfundojë në fillim të muajit të ardhshëm.
Është në kompetencë të Presidentes Jahjaga dhe të kryeministrit Thaçi, për të emëruar drejtorin e AKI-së. /KTV/Koha/