Kalo te lënda

Hetime për Grand-in dhe Sharrcem-in

timthumbPrivatizimi i hotelit Grand në Prishtinë, si dhe ai i fabrikës së çimentos Sharr Cem në Han të Elezit, do të jenë objekt hetimi në Kuvendin e Kosovës në ditët në vijim. Mirëpo, përveç këtyre, deputetë nga pozita dhe opozita po kërkojnë edhe hetimin e të gjitha proceseve të privatizimit në Kosovë e sidomos atyre që kanë ndodhur përmes metodës së spin-ofit special, për shkak të shkeljeve të shumta që janë evidentuar gjatë procesit.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se janë të interesuar që ta hetojnë secilin rast të privatizimit.“Duhet pasur të qartë se shkeljet, dyshimet për afera korruptive dhe sidomos rëndësia e ndërmarrjes për ekonominë e vendit nuk janë të njëjta.

Shumë shpejt do t’i dorëzojmë kërkesa për debate parlamentare në Kuvend për diskutimin e privatizimit të Sharr Cemit, Ferronikelit, Ballkanit, Hotelit Grand, e ndërmarrjeve tjera të privatizuar”, ka thënë Ymeri. Edhe Arben Gashi, nga partia më e madhe opozitare në vend LDK, ka thënë se ky privatizim nuk ka dhënë efektet e duhura në ekonomi.

Gashi ka thënë se duhet të hetohet procesi dhe të evidentohen pengesat që kanë dëmtuar interesat e ekonomisë kosovare. “Ne jemi të bindur se procesi i privatizimit nuk ka dhënë efektet e duhura në ekonomi. Ne si LDK kërkojmë që të hetojmë se çka ka ndodh komplet me procesin”, ka sqaruar Gashi.

Edhe AKR-ja kërkon hetim

Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se qëndrimi i AAK-së ka qenë nisur prej parimit që Kuvendi të mos e shkatërrojë procesin në përgjithësi.

Ai ka sqaruar se me debatin e privatizimit të ndërmarrjeve veç e veç Kuvendi po rrezikon dhe po jep përshtypjen se po e luan rolin e gjyqit. “ Ne jemi për çfarëdo komisioni tu nis prej procesit në përgjithësi, qëllimi është mos me shkatërruar procesin dhe nëse merremi me raste të ndara kemi me dëmtua Kuvendin edhe investitorët që done të vijnë për me investuar në Kosovë”, ka shtuar Gjini.

Edhe shefja e grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani, partia e së cilës është pjesë e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se Kuvendi do ta kryejë punën e vet që i takon.

“Ne do të kërkojmë së shpejti që hetimi të jetë ndaj procesit në përgjithësi siç ka shkuar”, ka thënë shkurt Selmani. Rreth këtij debati për privatizimin me qëndrim kritik ka dalë edhe përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë. Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehet se Kuvendi gjithmonë po vonohet dhe pastaj po krijon konfuzion në opinion.

“Ne përfaqësojmë se bizneset nuk duhet individualisht të hetohen ngase janë tendencë ndaj ndonjë kompanie të veçante. Duhet të bëhen hetime në përgjithësi”, ka thënë Rukiqi. Ai madje ka thënë se pas debatit në Kuvend për privatizimin e Fabrikës së Amortizatorëve nga “Devolli grup”, këta të fundit janë pajtuar që hetimet të fillojnë. “Ne kemi pasur takim me përfaqësuesit e ‘Devolli Grup’ dhe ata janë pajtuar që të fillojnë hetimet”, është shprehur Rukiqi.

AKP e hapur ndaj kërkesave të Kuvendit

Ylli Kaloshi, zyrtar për informim në AKP, ka thënë se çdo kërkesë që legjislativi i drejton kësaj Agjencie ata do ta kenë. “AKP-ja është e hapur për të ofruar gjithë informacionet që posedon në kërkesat që mund të vijnë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kaloshi.

Kuvendi i Kosovës që nga muaji mars i vitit të kaluar nuk ka arritur që të kompletojë bordin e AKP-së.

Këtij bordi i mungojnë 3 anëtarë prej tyre 2 vendorë dhe 1 ndërkombëtar, e ku si pasojë pa kompletimin e këtij bordi nuk munden të shpërndahen mjetet e 20 përqindëshit te ish punëtorët e fabrikave, dhe nuk mund të kryhet as shlyerja e borxheve të ndërmarrjeve. Privatizimi i Fabrikës së çimentos Sharr në Hani të Elezit, e cila vlerësohet të jetë shitja më e madhe përmes privatizimit në vend. Kjo fabrikë e çimentos ishte privatizuar përmes bisedimeve të drejtpërdrejta për 30.1 milionë euro më 2010.

Kompania privatizuese “Titan Group” ishte zotuar të investojnë edhe 35 milionë euro, të mbajë për tre vjet punëtorët që kishin qenë në listën e pagesave dhe për një vit ata që ishin në skemën sociale. Rreth 22 milionë euro ishin investuar në të nga një komercializues zviceran përpara privatizimit.

Privatizimi me “Spin off special” ishte kryer edhe në rastin e Hotel Grandit. Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) kishte nënshkruar kontratë për shitblerje aksionesh me Zelqif Berishën, si pronar i kompanisë “Unio Comerce”. Por kontrata parashihte ruajtjen e natyrës së këtij biznesi, numrin e punëtorëve dhe investimin e një shume prej 20 milionë eurosh. Deri në vitin 2010, sipas AKP-së, në “Grand” ishin investuar vetëm 1.2 milionë euro.

Kjo e kishte detyruar AKP-në që ta trashëgojë këtë kontratë dhe disa herë i ka tërhequr vërejtjen e dhënë privatizuesit që t’i përmbahet kontratës, derisa në proces kishin dalë përplasje brenda kapitalit financiar që privatizoi Grandin.

Biznesmenët Behgjet Pacolli e Remzi Ejupi ngritën padi në Gjykatën Komunale kundër Zelqif Berishës. Sot e asaj dite Grandi mbetet në pronësi të AKP-së.

Lini një koment