Gardianëve vështirë u kalon helmimi
Hospitalizimi i gardianëve të helmuar nga ushqimi në burgun e ri të sigurisë së lartë në Gërdovc-Dyz të Podujevës, ka vazhduar edhe ditën e premte.
Ndonëse helmimi i tyre ka ndodhur të mërkurën, edhe dy ditë më vonë, ndihmë mjekësore në QKU ka kërkuar edhe një gardian.
Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, institucion ky që kryen analizat për të gjetur arsyen e helmimeve të mundshme të tilla, thotë se bazuar në të dhënat zyrtare që posedon, të premten është hospitalizuar gardiani i fundit.
Ndërkohë, ai tregon se të enjten janë hospitalizuar tre gardianë, kurse të martën, ditën që rojet e burgut patën barkqitje, të vjella e dhimbje barku, ishte edhe një tjetër.
“Simptomat e tyre nuk janë shqetësuese. Bëhet fjalë për një helimim jo të rëndë. Por për të ditur arsyet, duhet pritur rezultatet e analizave”, thotë Ramadani për Tribunën.