Sindikata e RTK-së: Jakup Krasniqi u takua me një grup mashtruesish
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka reaguar lidhur me takimin që kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka pasur sot me një pjesë të sindikatës, që SPERTK i quan grup njerëzish, mashtrues dhe që nuk punojnë asgjë.
“Jemi thellë të shqetësuar me një veprim që keni bërë sot duke pritur në një takim një grup mashtruesish të cilët thirren gjoja si përfaqësues të një sindikate të RTK-së e cila nuk është e ligjshme. “SPRTK” është një grup i njerëzve në RTK që nuk punojnë asgjë dhe marrin paga mbi 700 euro në muaj dhe janë të nxitur nga konkurrenca për ta shkatërruar RTK-në. Kjo e ashtuquajtur sindikatë nuk është e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës në fuqi dhe për këtë mund të kontaktoni Ministrinë e Punës edhe Mirëqenies Sociale të cilët do t’ua konfirmojnë këtë”, thuhet në reagim.
Sipas kumtesës, e vetmja sindikatë e regjistruar me ligjet e Republikës së Kosovës të miratuara në Kuvend është Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK) me kryetar Naser Thaçin.
“Madje ne kemi kërkuar takim me ju qysh me 22 nëntor të vitit 2013 por ende nuk kemi marrë përgjigje nga ju. Dhe nuk është e rastësishme që kjo e ashtuquajtur sindikatë del me reagime negative pikërisht në kohën kur në RTK janë duke u hapur edhe dy kanale të reja, kur janë shlyer më shumë se gjysma e borxheve dhe kur po behët reformë e madhe programore”, thuhet tutje në reagim.
Sipas tyre, është absurde të kritikojnë punësimin familjar kur anëtarë të këtij organizimi ilegal kanë punësuar anëtarë të familjes së tyre në RTK. “Edhe ne jemi të interesuar për auditim të performancës. Madje këtë e kemi bërë publike qysh moti në konferencë për media dhe në komunikatat tona”.
SPERTK kërkon takim urgjent me Krasniqin për t’i sqaruar, siç thonë ata, disa gjëra. (ORAinfo)