Kalo te lënda

Riaktualizimi i akuzave të Martyt, nxitje debati në mes “tradhtarëve dhe patriotëve”

riaktualizimi-i-akuzave-t-euml-martyt-nxitje-debati-n-euml-mes-ldquo-tradhtar-euml-ve-dhe-patriot-euml-ve-rdquo_hdIsh-senatori zviceran, Dick Marty në vitin 2011 e kishte shokuar publikun shqiptar me akuzat e ngritura ndaj krerëve të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe ish shefin politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, kryeministri aktual i Kosovës, për gjoja krime të kryera gjatë luftës.

Sipas analistëve kosovarë riaktualizimi eventual i akuzave të ish-senatorit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, mund të krijoj një gjendje të palakmueshme në zhvillimet e brendshme politike në Kosovë.

Sipas tyre këto akuza, sikundër që ka ndodhur më herët, do të nxisin debatin e madh shoqëror në mes “patriotëve dhe tradhtarëve”.

Analisti Fadil Lepaja, theksoi se që nga paslufta e këndej ka pasur akuza për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qofshin ata të nivelit të lartë në hierarkinë komanduese apo edhe luftëtarë të zakonshëm.

Lepaja tha se deri sot, përpos zhurmës, nuk ka pasur fakte serioze të cilat do t’i inkriminonin ish-pjesëtarët e UÇK-së në krime.

“Mediat, shpesh herë kanë spekuluar me emra të përveçëm, për të cilët është supozuar që kanë kryer krime gjatë luftës, por në fund ka rezultuar të jetë një zhurmë e krijuar për interesa të dikujt. Mendoj se me këto raste nuk duhet të merret politika (akuza të cilat i inkriminojnë eksponentë të rëndësishëm të UÇK-së në krime), por duhet të merren gjykatat e rregullta, qoftë vendore apo ndërkombëtare. Shumë lëndë të cilat janë iniciuar nga gjykatësit ndërkombëtarë dhe sistemi gjyqësor serb kanë rezultuar të paargumentuara mjaft, dhe si të tilla kanë lënë përshtypjen e rasteve të cilat janë nxitura nga motivet politike. EULEX-i nuk ka arritur të jetë i paanshëm politikisht, dhe i ka ngritur lëndët në varshmëri me interesat e vendeve të ndryshme, kryesisht për të bërë presion dhe për t’i dhënë drejtim një strategjie politike”, ka thënë ai për Telegrafin.

Lepaja theksoi se nëse vërtetohet se dikush nga udhëheqësit e UÇK-së është fajtor për krime të kryera gjatë luftës, nuk është e arsyeshme që të kursehet nga drejtësia, duke shtuar se, është tragjikomike të imponohen gjykime për ngjarje të nivelit të kundërvajtjeve civile dhe të heshtën e të mos hulumtohen ngjarje te kalibrit të atyre si në kafiterinë “Panda” në Pejë.

“Duket absurde të niset proces për një sharje apo një flakaresh gjatë luftës, ndërkohë që askush nuk merret seriozisht me krime të rënda. Sa i përket rastit të organeve, këtu ka pasur deri tani më shumë propagandë politike sesa paraqitje të fakteve serioze. Por, sidoqoftë, nëse prokuroria ndërkombëtare ka arritur të ketë fakte që e implikojnë garniturën e lartë shtetërore në krime, mendoj se ata duhet të jenë bashkëpunues, e madje edhe të tërhiqen nga pozicionet e tyre aktuale”, tha ai.

Analisti Shpend Kursani, theksoi se çdo akuzë e cila ngritet kundër ish të përfshirëve në UÇK me doemos

nxit aktivitete dhe zëra për mbrojtjen e vlerave të luftës.

Sipas tij, nxitja e një debati të tillë duhet të pësoj një ndryshim nga ai që kemi pasur deri më tani.

“Në Kosovë të gjithë duhet t’i mbrojnë vlerat e luftës, por kjo nuk do të duhej të bëhet qorrazi. Pra, vlerat e vërteta të luftës në Kosovë nuk do të duhej të mbroheshin duke mbrojtur qorrazi edhe të gjithë të akuzuarit e aq më pak të dënuarit për krime, por këto vlera më së miri mbrohen nëse e mbrojmë vet luftën nga ata të cilët në fund edhe dënohen për krime. Druaj që mbrojtja e vlerave të luftës duke mbrojtur edhe të dyshimtit për krime me një pako do të ndikoj në përdhosjen e vlerave të luftës”, vlerësoi Kursani.

Ai tha se duhet të ndahet lufta, si veprim i drejtë, nga individët e caktuar që në një moment të caktuar dhe për përfitime personale kanë bërë veprime të padrejta dhe të kundërligjshme.

“Këta individë duke u kapur për vlerat e luftës po mundohen të shfajësohen për pasurimin e tyre dhe varfërimin e Kosovës. Nëse bazohemi tek të akuzuarit dhe të dënuarit për krime lufte deri më tani, riaktualizimi i kësaj çështje do t’i dëmtoj të akuzuarit potencial, ndërkaq do t’i bëjë heronj të njëjtit. Në fund, kjo çështje do të krijoj edhe një polarizim të pashëndetshëm në Kosovë, mes shumë polarizimeve të dëmshme që vetëm se ekzistojnë në skenën politike”, ka thënë Kursani për Telegrafin.

Krerë të lartë të ish-UÇK-së, të cilët tash udhëheqin politikën e Kosovës, shumë shpejt mund të përfundojnë si të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare. Ata dhe disa të tjerë po hetohen për trafikim organesh, krime të tjera kundër njerëzimit, trafikim droge, nafte dhe armësh, dyshime që u bënë publike në raportin e senatorit të Këshillit të Evropës, Dick Marty në vitin 2011. /Telegrafi/

Lini një koment