Kalo te lënda

Në RTK po punësohen familjarë të menaxhmentit dhe të qeverisë

fotoX9MP3Y9FUdhëheqësit e Sindikatës së Pavarur të RTK’së i janë ankuar sot Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasnqiit, se në televizionin publik janë duke u punësuar familjarë të udhëheqjes së televizionit si dhe të afërm të qeveritarëve.

Këto ankesa, të kryetarit të Sindikatës Fadil Hoxha dhe dy nënkryetarëve Florije Durmishi dhe Arsim Halili janë bërë gjatë një takimi që kanë pasur më kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi me të cilin kanë biseduar për gjendjen që po përballet mediumi publik.

“Drejtuesit e Sindikatës kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me keqmenaxhimin e RTK-së dhe situatën e rëndë financiare në të cilën gjendet mediumi si pasojë e politikave të gabuara drejtuese. Në këtë takim, poashtu është ngritur çështja e mbipunësimeve të pakontrolluara, përfshirë familjarë të menaxhmentit dhe të qeveritarëve”, thuhet në një njoftim të Sindikatës.

Kryeparlamentari Krasniqi u njoftua nga drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së se e gjithë kjo po ndodhë me pretekstin e zhvillimit të këtij intitucioni, derisa RTK-ja përballet me miliona euro borxhe, meteknologji të stërvjetëruar dhe mungesë elementare të kushteve për punë.

SPRTK ka bërë me dije se përgjegjësinë për këtë borxh të akumuluar e ka edhe menaxhmenti aktual, gjegjësisht Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, i cili në mandatin e kaluar përveç në postin e Zëvendësdrejtorit Gjeneral ishte edhe në krye të Komisionit për blerjen e produkteve të jashtme vizive, si pasojë e të cilave është krijuar ky borxh.

Në takim është diskutuar edhe për degradimet që po ndodhin brenda natës, presionin dhe frikësimin ndaj punëtorëve për organizime kundër njëri-tjetrit me qëllim të shmangies së vëmendjes nga problemet reale.

Sindikata e Pavarur e RTK-së kërkoi nga kryeparlamentari krijimin e një Komisioni Hetimor parlamentar për konstatimin e gjendjes reale në RTK.

Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se “është e nevojshme që të bëhet një auditim i përgjithshëm i performancës së veprimtarisë në RTK. Sindikata mund ta bëjë një kërkesë në Kuvendin e Kosovës për të shqyrtuar gjendjen në RTK dhe mbi këtë bazë do të mund të procedohet kjo kërkesë për debat në Kuvend, duke synuar që në këtë medium të krijohen mundësi për zhvillime, që përkojnë me rolin që ka RTK-ja në aspektin e informimit sa më cilësor të opinionit”.

Lini një koment