Kalo te lënda

Në mungesë të argumenteve, Ministria e Financave lëshon pamflete

fotoG8L004Q4Këshilli i Ekspertëve i LDK-së vlerëson se reagimet e vazhdueshme me mllef dhe pa argumente të Ministrisë së Financave, ndaj deklarimeve të bëra nga ky Këshill, tregojnë qartë për nivelin profesional të personave përgjegjës në këtë institucion.

Këshilli i Ekspertëve deklaroi se borxhi publik i Kosovës ka arritur në 9% të Bruto Produktit vendor, secili qytetar sot është rreth 250 euro borxh dhe për dy vitet e fundit për interesat e borxhit janë paguar 21 milionë euro. Në një deklarim tjetër, Këshilli i Ekspertëve konstatoi se të hyrat nga doganat janë për 78 milionë euro më pak se plani për 2013, prandaj viti 2013 nuk mund të quhet vit i suksesshëm.

Ministria e Financave, në vend që të japë përgjigje para qytetarëve dhe Kuvendit të Kosovës, përpilon deklarata të tipit të pamfleteve, për “stigmatizimin e armikut”.

“E ftojmë Ministrinë e Financave që, në vend të pamfleteve, të japë përgjigje se në cilat projekte janë shpenzuar mjetet nga shitja e letrave me vlerë, cilat janë përfitimet për qytetarë dhe a janë këto përfitime më të larta se vlera e interesit të paguar për këto mjete prej 21 milionë euro”, thuhet në kumtesen e LDK-së.

E ftojmë Ministrinë e Financave që të jetë e kujdesshme që në fund të mandatit të mos e rrisë borxhin publik.

Qeveria e ardhshme e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga LDK-ja, nuk do të tolerojë situata në të cilat rritet borxhi dhe ngarkesa për brezat e ardhshëm.

Lini një koment