LDK sfidohet nga zgjedhjet
Të entuziazmuar nga rezultatet e zgjedhjeve lokale ku fituan disa komuna të mëdha, udhëheqësia e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk po do që të pushojë fare dhe të shpërndajë entuziazëm nëpër degë. Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i shoqëruar nga vartës të tij partiakë, po takon çdo ditë degët nëpër qytete të ndryshme ku po i inkurajon ato për fillimin e mobilizimeve për zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen këtë vit. Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, ka konfirmuar për Tribunën se kryesia qendrore e ka bërë një agjendë për vizitat nëpër degë dhe të gjitha degët e LDK-së janë duke u vizituar.
“Qëllimi i këtyre mbledhjeve është mobilizimi i strukturave për zgjedhjet e ardhshme, që pritet të mbahen këtë vit, pavarësisht se kur mbahen, në qershor apo shtator. Datës tanimë nuk i dihet, ajo mund të jetë edhe më herët, por ne jemi të gatshëm dhe për këtë jemi në terren. Kosova tanimë ka nevojë që LDK-ja ta udhëheqë Qeverinë, ndoshta më shumë sesa që LDK ka nevojë ta udhëheqë Qeverinë”, ka thënë Beqiri.
Por në takimet e udhëheqësisë së LDK-së nëpër degë, po bisedohet edhe për rezultatet në zgjedhjet lokale 2013. Beqiri ka thënë se po diskutohen mundësitë e përmirësimit dhe angazhimeve më të mëdha në ato vende ku LDK ka pasur dobësi.