Kalo te lënda

Greqia ka aversion ndaj toponimit ‘Selaniku’

foto-2211Emigrantët shqiptarë po ndjehen çdo ditë e më të kërcënuar nga autoritet greke, për shkak të toponimeve në pasaportat e tyre. Kështu nëse ata nuk kanë të shkruar toponimet greke. Të tipit “Thessaloniki” dhe jo Selanik, kërcënohen me dëbim nga Greqia. Shqiptarët që kanë dekada që jetojnë në shtetin fqinj, shprehen të shqetësuar për këtë gjë, pasi atje kanë ndërtuar jetën e fëmijëve të tyre dhe nuk mund të kthehen në Shqipëri.
“Kam 22 vjet në Greqi. Kam lindur dy fëmijë këtu në Selanik dhe problem im është çështja e toponimeve në pasaporta, se fëmijëve u kërkohet që t’u shkruhet Thessaloniki dhe jo Selanik”, -thotë për “Top Channel”, Tatiana Vjera, emigrante.
“Kam problem me fëmijët. Më kanë lindur të dy në Selanik. I kanë dhënë gruas afat deri në datën 24 janar të largohet nga Greqia vetëm për shkak të toponimeve . Pse shkruhet Selanik dhe jo Thessaloniki. Do t’ju lutesha shumë autoriteteve shqiptare se po na ndajnë nga fëmijët për së gjalli”, -shprehet Vasil Karroqi, një tjetër emigrant.
Të mbledhur në një prej sallave të prefekturës së Selanikut me iniciativën e disa prej përfaqësuesve të forcave politike në emigrim, dhjetëra bashkatdhetarë kanë theksuar edhe njëherë se moszgjidhja e këtij problemi do të shkatërronte gjithë mundin e përpjekjen e tyre në dy dekada në shtetin grek. Prej muajsh autoritetet greke u mohojnë qindra fëmijëve të emigrantëve të lindur në Greqi kalimin e kufirit për shkak të toponimeve të vendlindjes në pasaportat e tyre, që janë në gjuhën shqipe dhe jo në atë ndërkombëtare. Gjithashtu është kërkuar që qeveria shqiptare të synojë, ashtu siç veproi me Belgjikën, nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen e viteve të punës në Shqipëri e në Greqi për emigrantët shqiptarë, transmeton CH.
Në fund të takimit të gjithë të pranishmit kanë firmosur një peticion drejtuar Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama, me anë të të cilit kërkojnë përshpejtimin urgjent të procedurave në mënyrë që emërtimet e toponimeve në certifikatat e fëmijëve dhe pasaportat të jenë ashtu siç përcaktohen në marrëveshjet përkatëse ndërkombëtare.

Lini një koment