Gjykimi i “Çakallëve” dhe terrorizimi i Pejës në emër të Serbisë
Vrasjet, përdhunimet, torturat, plaçkitjet dhe djegiet e pronave të shqiptarëve në fshatrat e Dukagjinit, në Qyshk, Pavlan, Lybeniq dhe Zahaq, janë kryer me urdhër të kreut shtetëror serb dhe me qëllimin që shqiptarët e Kosovës të dëbohen për në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Për këto krime, në Gjykatën e Lartë në Beograd janë gjykuar anëtarët e bandave policore të njohura si “Çakallët”, “Munja” dhe “Grupa 77”. Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar 20 vjet burg për Toplica Miladinovicin, komandant e Njësitit 177 të Policisë së Serbisë, Ranko Romicin, Milojko Nikolicin, Sinisa Misicin dhe Dejan Bulatovicin; 15 vjet për Srecko Popovicin dhe Abdulah Sokicin; si dhe pesë deri në tetë vjet burg për Slavisa Kastratovicin, Boban Bogicevicin, Radoslav Brnovicin dhe Veljko Koricaninin. Telegrafi ju sjell tekstin e portalit e-novine: dëshmitë për krimet mizore të kryera nga shteti serb në rajonin e Pejës.
Të sipërpërmendurit akuzohen se kanë kryer krime të pazakonta brutale ndaj më shumë se 120 civilëve shqiptarë në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lybeniq (Komuna e Pejës), në prill dhe maj të vitit 1999.
“Krimet e tyre janë dëshmuar qartë gjatë procedurës gjyqësore”, ka thënë në fjalën e tij përfundimtare, Dragoljub Stankovic, zëvendësprokuror për krime lufte.
Kërkesës për shpalljen e tyre për fajtorë i është bashkuar edhe avokati i viktimave, Mustafa Radoniqi, duke paralajmëruar një tjetër kërkesë për kompensim, që do ta dorëzojë në emër të familjeve të dëmtuara.
Dënimi me 20 vjet burg është më i larti që mund të shqiptohet për krime të luftës në Serbi (në kohën e përmbarimit ishte zëvendësim për dënimin me vdekje).Udhëheqës i “Çakallëve” ishte Nebojsa Minic, i njohur “Mrtvi” (i Vdekuri – v.j.), i cili vdiq pa u ndëshkuar në Argjentinë.
Krimi monstruoz i organizuar nga shtet serb dhe hezitimet e Prokurorisë së Serbisë
Në fund të nëntorit 2013 është ngritur një aktakuzë për krime lufte të kryera ndaj shqiptarëve në Komunën e Pejës, kundër tre ish-anëtarëve të Ushtrisë jugosllave, përfshirë anëtarin aktual e aktiv të Xhandarmërisë serbe, Vladan Krstovic Dzudza. Ata, sipas aktakuzës, së bashku me anëtarët e “Çakallëve”, kanë marrë pjesë në vrasjen e të paktën 46 civilëve në fshatin Lybeniq, të Komunës së Pejës, më 1 prill 1999. Ata janë akuzuar se kanë kryer krime, së bashku me Nenad Lekicin që banon në Suedi, Predrag Vukovic i cili është ende në arrati, si dhe disa persona tjerë të paidentifikuar.
Në fshatin Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur. Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë.
LEXO PO ASHTU: Dëshmia e çakallit të penduar: Vramë dhe dogjëm fshatra të tëra
Avokati nga Peja, Mustafa Radoniqi, që përfaqëson palët e dëmtuara, ka thënë në fjalën e tij përfundimtare se po përmbyllet një proces maratonik gjyqësor, që ka filluar para katër viteve, duke shtuar se hetimi i krimeve filloi me dhjetë vjet vonesë. Për këtë proces, sipas tij, Prokuroria serbe nuk ka treguar interes të mjaftueshëm dhe se në mënyrë inerte ka kryer pjesën e saj të punës.
“Shumë gjëra janë fshehur dhe një numër i madh i dëshmitarëve, duke parë plogështinë e Prokurorisë (serbe – v.j.), kanë refuzuar të japin dëshmi, sepse e kanë humbur plotësisht besimin. Ndërsa, ka edhe nga ata që vdiqën gjatë procedurës dhe nuk ishte e mundur të hetohen, ndonëse dëshmia e tyre do të ofronte të dhëna të qarta dhe fakte për të gjitha gjërat që kanë ndodhur, si dhe për të pandehurit të cilët mirë i kanë njohur. Megjithatë, mendoj se ka prova të mjaftueshme për të hedhur dritë mbi këto ngjarje, në bazë të të cilave mund të thuhet se këta të akuzuar ishin pjesëmarrës në këto ngjarje tragjike dhe se ishin autorë të krimeve për të cilat akuzohen.
Të dëmtuarit ankohen që ky proces bëhet jo në vendin ku janë kryer krimet, në gjykatat lokale, por këtu në Beograd. Por, mendojmë se është gjë e mirë që gjykohen këtu, në vendet jashtë zonës së krimit, sepse është e nevojshme që Serbia dhe opinioni serb të njohin krimet që janë bërë në emër të tyre. Serbia, për fat të keq, një kohë të gjatë nuk ka shprehur gatishmëri për t’u përballur me krimet e luftës të anëtarëve të policisë dhe të ushtrisë së saj. Mu për këtë ky proces ka filluar pas kaq shumë kohësh”, ka thënë Radoniqi, i cili i dha mirënjohje Këshillit gjyqësor, duke theksuar se procesi është kryer mirë, paanshëm, pa anime ndaj asnjë pjesëmarrësi në të.
“Nata e Kristaltë” në Pejë
Faktografia e rastit të Qyshkut, të egërsisë së përgjakshme të urdhëruar nga Slobodan Milosevici, Nikola Sainovici dhe monstruozët tjerë nga kreu shtetëror serb, tregon se vrasjen e shqiptarëve, banditët shtetëror serbë i kanë kryer pa pikë shpirti e mizorisht, dhe se shumica e trupave janë djegur që të shmanget identifikimi i viktimave.
Herët, në mëngjesin e 14 majit 1999, kriminelët hynë në fshat Qyshk që ndodhet në Lindje të Pejës. Anëtarët e forcave të sigurimit serb, të veshur me uniforma kamuflazhi dhe me fytyra të maskuara, kanë ndarë – sipas një skenari të planifikuar dhe të përdorur disa herë – burrat nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit. E rëndësishme është të thuhet se para sulmit fshatarët nuk e dinin cili do të ishte epilogu, pasi me një shef të policisë në Pejë kishin folur dhe kishin marrë garanci se do të jenë të sigurt, meqë do të trajtohen si “banorë luajalë ndaj Serbisë”.
Më shumë se 200 burra maltretohen; 32 meshkuj, të moshës 16-69 vjeçare janë ndarë në tri grupe dhe janë dërguar në tri shtëpi ku ekzekutohen nga armët automatike. Në njërën nga shtëpitë jeta e disave ka marrë fund me revole.
Të vrarë janë: Rasim Rama, Muhamet Shala, Brahim Gashi, Kadri Çeku, Hasan Çeku, Halit Gashi, Selim Gashi, Sylë Gaszhi, Skender Gashi, Muharrem Gashi, Ibish Gashi, Çaush Lushi, Avdi Berisha. Në shtëpinë e Azem Gashit janë ekzekutuar: Emin Gashi, Jashar Gashi, Ramë Gashi, Halil Gashi, Ibër Kelmendi, Skënder Kelmendi, Demë Kelmendi, Ukë Lushi, Osmani Lushi, Ismet Dima, Gani Avdijaj, Isa Gashi. I mbijetuari i vetëm është Isa Gashi. Në shtëpinë e Demë Gashit janë vrarë: Ahmet Gashi, Brahim Gashi, Besim Kelmendi, Erdogan Kelmendi, Brahim Kelmendi, Mentor Kelmendi, Sefedin Lushi, Hasan Avdijaj, Ramiz Lushi, Rexhë Kelmendi. Nga kjo shtëpi ka mbijetuar vetëm Rexhë Kelmendi. Në shtëpinë e Sahit Gashit u vranë: Musë Gashi, Xhafer Gashi, Abdullah Lushi, Xhafer Lushi, Arijan Lushi, Zeqir Aliaj, Isuf Shala, Emrush Krasniqi, Skender Alushi dhe Hazir Berisha.
Dëshmitari Zoran Raskovic, në gjyq, në dhjetor 2011, tha se në Pejë kishte shkuar në dhjetor të vitit 1998, “atë ditë kur janë varrosur gjashtë të rinjtë, të cilët shqiptarët i kishin vrarë në lokalin ‘Panda’, e ku patriarku i ndjerë Pavle mbajti lutjet për të vdekurit”.
LEXO PO ASHTU: Anëtari i njësitit paramilitar “Çakallët”, rrëfen krimet në Kosovë (Video)
“Pastaj erdhi ‘Nata e Kristaltë’ (sipas Natës së Xhamave të Thyer, kur më 1938 nazistët thyejnë lokalet e hebrenjve duke i vrarë dhe arrestuar ata – v.j.). Serbët thyen të gjitha xhamat e lokaleve shqiptare. Unë isha i punësuar në një lokal si roje e armatosur. Atëherë e njoha Nebojsa Minicin, të quajtur ‘Mrtvi’. Kur filluan bombardimet, ‘Mrtvi’ na thirri ta thyejmë një diskotekë shqiptare. Aty ka marrë çfarë ka mundur. Atëherë më tha se po shkojmë në SUP (Sekretariati i Punëve të Brendshme – v.j.), e pastaj në kazermë.
Bërzheniku dhe Lybeniqi si “paralojë” për Qyshkun
Këtu u takua me komandantin Toplica Miladinovic. Aty ka marrë 20 kallashnikovë dhe afro 40 bomba. Në lokalin ‘Stari Most’ u mblodhën dhjetëra njerëz. Kështu nisën ‘Çakallët’. Aty ishin: Ranko Momic – i cili mburrej se ishte me ‘Tigrat’ e Arkanit, se e kishte kaluar tërë Bosnjën dhe Srebernicën; Zoran Obradovic ‘Buba’, një figurë lokale; Sinisa Misic – i cili shpejtë e kishte bërë për vete një vilë të një shqiptari; Nikolic Milojko ‘Sumadia’, i cili kishte luftëtar me grupin ‘Munj’ në Bosnje; Srecko Popovic, i cili nga dita e parë ishte me ne; Kastratovici ishte aty, kishte mjekër. ‘Mrtvi’ tha se i nevojitemi shtetit, se jemi formacion ushtarak, se jemi legalë. Më shumë kemi ngjarë me ekip se me formacion. ‘Mrtvi’ u bë lideri jonë.
Natën e parë i kemi larguar disa shqiptarë nga tregu. Të gjithë nga ekipi u vendosëm në shtëpitë e shqiptarëve. Morëm armatim, uniforma. Kishte para, xhipa. ‘Mrtvi’ në çdo derë hynte me shkelma. Ai ishte i rëndësishëm në qytet. Kishin dëgjuar për të.
Para fshatit Qyshk, krimet kanë ndodhur në Bërzhenik (paralarje e Pejës) dhe në fshatin Lybeniq (Komuna e Pejës, ku më 1 prill 1999 janë vrarë 66 civilë shqiptarë, por kjo nuk është lëndë e akuzës). Më 14 maj 1998, në ora 8:00, në shtëpinë e një shqiptari të fuqishëm që u dëbua, u mbajt takimi i shtabit. ‘Mrtvi’ tha ta vozis deri te Toplica Miladinovici. Kur u kthyem, tha: ‘Lëvizje. Gjermanët po i ndjekim në gjah’.
LEXO PO ASHTU: E tmerrshme: Si u vranë dhe u përdhunuan shqiptarët
Jemi lyer me blozën e tymit të veturave dhe me ngjyrën e këpucëve. Shumica prej nesh nuk e dinim ku jemi duke shkuar. Rreth orës 9:00, ne, rreth 25-30 persona, në 7-10 automjete, kemi shkuar rrugës Pejës-Prishtinë. 3-4 kilometra larg ishte fshati Qyshk, në anën e djathtë. Ishte fshat shqiptar, ku nuk ka shesh, por një shtrirje. Aty ishin dhjetëra anëtarë të njësisë rezerve të Mbrojtjes Territoriale, si dhe të policisë. Filluam sipas planit. Kurrë nuk dihej deri ku do të shkohet. E kam fjalën për vrasje.
Na kanë ndarë në katër grupe. Të parën e udhëhoqi ‘Mrtvi’. Në të dytën ishin: ‘Vampiri’, ‘Cale’ (Srecko Popoviq ), ‘Bulati’ (nuk e di pse ai nuk është në aktakuzë, sepse ishte me ne në Lybeniq), Zoran Obradovic ‘Buba’, Bobani. Në të tretën ishin: Ranko ‘Bosanac’, Mladjo Vukovic dhe ‘Memo’ (ai nuk e vrau askënd, se ishte i ri ). Në grupin e katërt ishin: ‘Sumadia’, Bata Lekic, Vuku. Grupet shkuan në katër drejtime. ‘Mrtvi’ u nis në drejtim nga kemi ardhur. Unë rrija si gjithnjë te vetura.
“T’i vrisni të gjithë nga mosha 12-70 vjeçare”
Kur hynë në fshatin Qyshk, nga një derë dalin dy shqiptarë të moshuar me duart e tyre të ngritura dhe pyesin se çfarë po kërkojnë. Ata u vranë nga ‘Mrtvi’ dhe ‘Vampiri’. Askush nuk gjuante në ne. Askund nuk kam parë terroristë. Atëherë u shpërndanë në fshat. Nisi beteja. Fillimisht dëgjohen të shtënat nga të gjitha anët. Atëherë kam parë flakë, shtëpitë digjeshin. Nisen gratë, fëmijët dhe pleqtë – refugjatë. Fëmijët piskasin nga tmerri. Nuk jam në gjendje t’ua përshkruaj atë skenë, sepse nuk e keni përjetuar. Ishte si në filmat rreth Luftës së Vietnamit, kur amerikanët i dëbojnë ata aziatikët. Të gjithë i dëbojnë për në Shqipëri.
LEXO PO ASHTU: Mizore: Forcat serbe vrisnin gjithçka që lëvizte
Atëherë Zoran Obradovic ‘Buba’ e ka marrë një veturë që e vodhi. Pastaj ‘Mrtvi’ ka shtënë në atë veturë. ‘Buba’ ra në pamëshirë, sepse ka vrarë një fëmijë në rrugën Pejë-Kullë-Rozhajë. Edhe ekzekutorët më të mëdhenj në njësit u neveritën me këtë. Ai shpjegonte se si bëhen ‘lëvizjet’. Shqiptarit i afrohesh pas shpine, me një kënd të saktë i shkrepet plumbi në kokë që të shihet mirë se si truri dhe kafka i fluturon. Bata Lekic i këpuste zinxhirët e arit dhe kërkonte para. Dëbimi i shqiptarëve zgjaste.
Pastaj udhëheqësit e grupeve kthehen me ushtri, shtëpitë digjen dhe dëbimi vazhdon. ‘Mrtvi’ tha: ‘T’i vrisni të gjithë nga mosha 12-70 vjeçare’. Aty ,‘Cale’, Srecko Popovic, ekzekutoi tre shqiptarë për muri, ‘për Serbinë’. Ranko ‘Bosanac’ u tha atyre që të mos kenë frikë, se po vjen autobusi që do t’i dërgojë në SUP-in e Pejës. U tha atyre që të hedhin çdo gjë nga xhepat e tyre, orët, byzylykët, unazat, letërnjoftimet. ‘Mrtvi’ i tha një fëmije që t’i mbledh ato. Nuk mund ta shpjegoj frikën e atij fëmije. Ai dridhej, ishte pshurrë dhe dhjerë nga frika. ‘Vampiri’ ia vendosi tytën e kallashnikovit në kokë. ‘Mrtvi’ i thotë: ‘Lëre, le të mbetet që shqiptarëve nesër t’ju rrëfejë këtë’.
Pastaj, Ranko, ‘Sumadija’ dhe Mladjo Vukovic hynë në një shtëpi. Dëgjohen rafalët. ‘Sumadia’ doli nga shtëpia me të sharën e tij famshme: ‘Ta q… xhaminë dhe orkestrën e xhamisë’. Mladjo e dogji shtëpinë. E kemi bërë një pauzë dhe shkuam të freskohemi. Atëherë ‘Mrtvi’ urdhëroi të vazhdojmë tutje, që të ‘dëbohet llumi’.
Shkuam në Pavlan dhe Zahaq. Aty u organizuam në dy trupe, në 15 deri 20 veta. Në grupin e parë ishin ‘Cale’ dhe ‘Sumadija’, e në të dytin ‘Mrtvi’ dhe ‘Bosanac’.
Gjatë rrugës ishte i ulur një plak shqiptar, të cilin e pyetën se pse nuk ka ikur. Ai tha se kjo është shtëpia e tij, dhe e vranë. E pash ‘Bubën’ tek vret edhe qentë.
Tmerri në Zahaq
Në Pavlan e pash Ranko ‘Bosancin’ se si kryen marrëdhënie seksuale me një shqiptare. Ajo ishte para kauçit, e strukur. Atëherë na pyet: ‘A doni edhe ju pak’? Ajo rënkon, nuk gjëmon. Kur mbaroi, e pastroi në të, e pastaj ia vuri kallashnikovin dhe e pushkatoi.
Unë kam bërë një reformë të vetëdijes sime. Nuk mund të ketë justifikime. Keqbërësi është keqbërës.
LEXO PO ASHTU: E tmerrshme: Serbët kanë bërë llamba nga kafkat e shqiptarëve
Atëherë shkuam në Zahaq. Aty një djalë nga Kragujevci i hipi gomarit dhe gjuante me kallashnikov. Srecko Popovic i thotë: ‘Po lëreni djalin, se po shfryhet’. Në Qyshk gjithçka ishte e organizuar, në Zahaq ishte mbaja si të duash. Aty u ‘debatuan’ ‘Mrtvi’ dhe Ranko se si shqiptari flet më së shpejti. ‘Mrtvi’ tha kur nxehet hekuri për hekurosje dhe ia vë ashtu të nxehtë shqiptarit, ndërsa teksa hekuri djegë, ai flet. E, Ranko thoshte se shqiptari flet më shpejtë kur e godet me kondak në kokë, kur truri i luan, e flokët ia shkulë me rrënjë nga koka. Në këtë njësit jo të gjithë njerëzit kanë kryer krime .
Aty ishim deri në ora 15:00. Nga atje jemi nisur me nja 20 vetura të vjedhura. Ranko ‘Bosanac’ kishte një certifikatë bosh ku nënshkruanin shqiptarët se ia dhurojnë veturat vetëm që të mos vriten. Srecko Popovic dhe ‘Sumadia’ në një hambar vranë dy shqiptarë.
Kur u kthyem, ktheheshim me këngë, me tre gishta të ngritur lart. Më vonë kuptova se shkuarja kryesore në fshat ishte Agim Çeku. Atëherë e dëgjova Sinisën tek i thotë ‘Mrtvit’: ‘Hallall k… kumbarë, se si e ke prerë, nuk kam pasë nevojë as ta vras’. Atëherë ‘Mrtvin’ e dërgova në shtab tek Toplica Miladinovic. Kjo ndodhi atë ditë, aty isha prezent dhe gjithçka kam parë”, ishte dëshmia në gjyq e Zoran Raskovicit.
Krimi në fshatin Qyshk është përmendur edhe në gjyqin kundër Slobodan Milosevicit në Hagë, ndërsa e kanë studiuar edhe Human Rights Watch, Fondi për të Drejtën Humanitare dhe American RadioWorks. Disa raporte, përgjegjës për masakrën në Qyshk i kanë cilësuar grupin policor “Munja” nga Peja, që vepronte në kuadër të MUP-it (Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë – v.j.), që njihej për dhunë dhe krim. Përveç grupit ‘Munja’, në Qyshk thuhej se ishin “Frenkit”, Grupi Operativ (OPG) – një njësi elite e policisë serbe – si dhe Njësiti i III-të i ashtuquajtur Anti-Terrorist i Ushtrisë së Jugosllavisë. Banorët e mbijetuar, me emër e mbiemër kanë identifikuar dy anëtarë të forcave serbe, për të cilët thuhet se ishin në Qyshk më 14 maj: Srecko Popovicin. I dyshuari kryesor, Nebojsa Minic “Mrtvi”, i cili komandonte me formacionin e armatosur “Çakallët”, është arrestuar më 2005 në Argjentinë me një urdhër të ICTY-së (Tribunalit të Hagës), por gjatë procedurave të ekstradimit vdiq nga AIDS-i.
LEXO PO ASHTU: Rrëfimi i Stojanovicit: Shteti serb mbron kriminelët e luftës (Foto, +18)
Minic ishte polic rezervë në Pejë dhe i përkiste grupeve paramilitare “Munja” dhe “Grupa 77”.
Në aeroportin e Lubjanës, më 16 shkurt 2007, arrestohet atëherë 32-vjeçari Igor Golubovic, qytetar i Sllovenisë dhe i Serbisë. Ai u arrestua me urdhër të Interpolit të Sllovenisë, për pjesëmarrje në masakrën në Qyshk dhe për krimet tjera të kryera në rrethinën e Pejës. Golubovic ishte anëtar i njësitit “Munja” dhe një nga bashkëpunëtorët e afërt të Vidomir Salapurës (Shalipuri famëkeq i Pejës, i cili është vrarë gjatë luftimeve me UÇK-në). Gjykata e Qarkut në Lubjanë, më 12 tetor 2009 e dënoi Golubovicin me 20 vjet burg për vrasjen e së paku katër shqiptarëve në Qyshk, për plaçkitje, dëbim të dhunshëm, plagosje dhe maltretim të banorëve shqiptarë në Pejë. Me vendim të Gjykatës së Lartë në Lubjanë, më 21 dhjetor 2011 atij i zbritet dënimi nga 20 në 12 vjet burg.
Krimet janë kryer nga formacionet shtetërore të Serbisë
Gjykata e Qarkut në Stokholm (Suedi), më 20 janar 2012 e dënoi Milic Martinovicin, ish-polic serb, me burgim të përjetshëm për rolin e tij në masakrën e Qyshkut. Martinovici, i cili u arrestua në Suedi në prill 2010, u shpall fajtor për krime të rënda kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, tentim-vrasje dhe zjarrvënie, në lidhje me masakrën e sipërpërmendur.
I akuzuari Srecko Popovic, më 22 shkurt 2012, gjatë gjykimit pranë një gjykate të Beogradit, tha se njësia e tij, “Çakallët”, ka qenë pjesë e njësisë për ndërhyrje policore brenda Njësisë së rregullt 177 të Ushtrisë jugosllave.
“Nëse duhet të më dënoni, më dënoni. Por, mos më shpallni për formacion paramilitar. Kjo është nën nderin tim. Unë jam ushtar”, ka thënë ai.
Mustafa Radoniqi, në fjalën përfundimtare thotë se “të akuzuarit ishin kryes të këtij plani monstruoz dhe se detyrën e kanë kryer në mënyrën më mizore”. Ata e kanë shfrytëzuar situatën që edhe të pasurohen me plaçkitje dhe vjedhje.
LEXO PO ASHTU: Edhe një dëshmi për krimet në Kosovë dhe fshehjen e dëshmive nga shteti serb
“Ata ishin të vetëdijshëm se po kryejnë një vepër që është kundër një grupi të caktuar etnik, se ata duhet dëbuar nga fshati, nga qyteti dhe nga tërë territori që është Atdhe i tyre. Qëllimi i tyre është që në mënyrën më mizore të dëbojnë shqiptarët, e që të krijohet bashkësia etnikisht e pastër serbe. Nuk ishte vetëm zbatimi i detyrave që ua kanë dhënë strukturat më të larta komanduese, por veprat e tyre dhe rezultati i vullnetit të tyre që ata ashtu të veprojnë. Mu për këtë, veprat e tyre janë vepra vullnetare të cilat me vetëdije i kanë kryer. Kështu, pra, mblidhen tri komponentë të fajësisë: përgjegjësia, qëllimi dhe vetëdija e plotë se ata po veprojnë në mënyrë të paligjshme.
Gjatë gjykimit, të akuzuarit nuk kanë treguar asnjë keqardhje për viktimat, e as nuk kishin respekt për të dëmtuarit që kanë dhënë dëshmitë këtu, ose përmes video-konferencës. Por, me qeshje dhe gjeste, e madje me fjalë të ulëta i kanë fyer dhe nënçmuar. Arrogancën e tyre e treguan edhe me veshje, me fanella me figura të ndryshme, e me mbishkrime për njëfarë ‘patriotizmi’, me çka i kanë irrituar edhe më shumë të dëmtuarit. Prandaj, për shkak të sjelljes së tillë, gjatë gjykimit jeni detyruar që disa herë t’ua tërhiqni vërejtjen, madje kishte edhe ndërprerje seancash. Të gjitha këto, Këshill i nderuar, mendoj se duhet t’i keni parasysh gjatë marrjes së vendimit për dënim.
Prandaj, në emër të të dëmtuarve, i bashkohem ndjekjes penale dhe fjalëve të përfaqësuesit të prokurorisë publike, që të akuzuarit të shpallen të fajshëm dhe të dënohen sipas ligjit. Natyrisht, në emër të të dëmtuarve e shtroj kërkesën për dëmshpërblim, për të cilën tash nuk jam në gjendje të përcaktohem për shkak të sasisë së madhe të dëmit të shkaktuar palëve të dëmtuara. Por, këto kërkesa do të dalin në dritë pas përfundimit të gjykimit dhe vendimit final, kur këtë do ta shtrojmë me akuzë të veçantë në procedurë gjyqësore”, përfundoi Radoniqi