Kalo te lënda

E duam Kosovën në FIFA dhe UEFA, por jemi për një Kombëtare

foto310Grupi i tifozëve të kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi”, kanë sqaruar se ata e përkrahin idenë që edhe Kosova të pranohet në FIFA dhe UEFA.

Edhe pse para ca ditësh u keqinterpretua komunikata e përfaqësuesit të grupit TKZ në Kosovë, Flakron Abazit, gjatë emisionit Rubikon të Adriatik Kelmendit, kryesia e këtyre tifozëve ka bërë të qartë edhe njëherë qëndrimin e tyre për përfaqësuesen e Kosovë.

“‘Tifozat Kuq e Zi’ janë për pranimin e Kosovës me të drejta të plota në organizatat si UEFA e FIFA (pa kushte), sepse është hapi vendimtar që do të zgjidhte ngërçin drejt bashkimit të një lige dhe forcimit të Kombëtares së përbashkët, Kombëtares Shqiptare. Një ligë e përbashkët Shqiptare, do të rriste në masë të madhe kualitetin e futbollit dhe të futbollistëve në Kosovë dhe Shqipëri, duke forcuar edhe klubet, rritur të ardhurat për to, dhe duke i bërë ato më kompetitive në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar kryesia e TKZ për Telegrafin.

“Tifozat Kuq e Zi” janë tifozë të Kombëtares Shqiptare dhe të sportistave shqiptarë që e përfaqësojnë Flamurin Kuq e Zi! Sot, me këto rrethana të reja që janë krijuar ne vazhdojmë të besojmë se zgjidhja e vetme më e mirë për të gjithë është “Një Komb, Një Kombëtare” për të gjithë Shqiptarët. Ne, Tifozat Kuq e Zi do të vazhdojmë të punojmë deri në fund që të ruajmë dhe forcojmë këtë Kombëtare që e kemi”, shtuan ata.

Lini një koment