Kalo te lënda

A u pajtuan në heshtje Hashim Thaçi e Fatmir Limaj?

fotoMOMMZHU5Hashim Thaçi duket se e ka kuptuar se PDK mund ta humb primatin nëse do ta ketë Fatmir Limajn rival në zgjedhjet e sivjetshme parlamentare. Fatmir Limaj, ndërkaq, mund ta ketë kuptuar se rrethanat aktuale nuk favorizojnë krijimin e një partie të re të krijuar nga njerëz të luftës.

Spekulimet se Fatmir Limaj po themelon subjektin e tij politik, bashkë me Kryeparlamentarin Jakup Krasniqin dhe disa zyrtarë tjerë të PDK’së, ka kohë që nuk janë dëgjuar në opinion.

Kjo tashmë duket të jetë një temë e harruar edhe për mediat kosovare.

Gjithçka lë shijen e një pajtimi mes tij dhe Kryetarit të PDK’së.

Disa ditë pas Vitit të Ri, Gazeta Lajm kishte raportuar për një takim mes Fatmir Limajt dhe Hashim Thaçit në ambientet e Parlamentit të Kosovës. Sipas kësaj gazete, në këtë takim ata kishin arritur t’i sqaronin disa prej çështjeve kryesore që mbanin të tensionuar raportet mes tyre. Por Fatmir Limaj ishte ngutur ta demantonte lajmin përmes një postimi në Facebook, kurse disa ditë më pas, në një intervistë për Top Channel, të njëjtën gjë kishte thënë edhe Thaçi. Por, ndryshe nga Limaj, Kryeministri kishte thënë se “takohet me të (Limajn) në ambientet e Parlamentit”.

“Fatmir Limaj është mik i imi i vjetër”, kishte thënë Thaçi, një muaj pas zgjedhjeve lokale, transmeton express.

Por si mund ta quante Thaçi mik Limajn kur ai ia kishte marrë Malishevën, ia kishte humbur Lipjanin, e kishte dëmtuar në Prizren dhe në Drenas?

Përgjigjen në këtë pyetje mund ta gjejmë në biografinë e Hashim Thaçit; ai – në situata të caktuara – i “harron” plagët që i janë shkaktuar për hir të ruajtjes së pozitave të tij drejtuese, institucionale e partiake.

Mund të jetë edhe një arsye tjetër; Hashim Thaçi ndoshta e ka kuptuar se Limajn duhet ta mbajë gjithsesi pranë vetës. Duke e pasur përballë në zgjedhjet e sivjetshme parlamentare, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit lokale, ndoshta ai ka kuptuar se PDK do të mund ta humbiste përfundimisht primatin.

Por a mund të jenë të njëjtat arsye që e shtynë edhe Fatmir Limajt që të hesht? A e ka kuptuar ai se rrethanat aktuale politike nuk favorizojnë një parti të re të krijuar nga njerëz të luftës? A mos i frikohet një përndjekjeje të re nga drejtësia? Apo ndoshta ka kuptuar se Hashim Thaçi ka disponim t’ia kthejë postin e Nënkryetarit të partisë, pozitë nga e cila u privua Limaj pas ardhjes në parti të Kadri Veselit?

Fatmir Limaj ka obligim t’iu jap shpejt përgjigje këtyre pyetjeve, në radhë të parë për hir të mbëshetësve të tij.

Një gjë mund të thuhet me siguri; Fatmir Limaj e di se mund t’ia heq disa vota PDK’së, të cilat edhe mund t’i shkaktojnë PDK’së humbjen e primatit, por ato vota nuk t’i sigurojnë atij një rezultat të lavdishëm në zgjedhjet e sivjetshme parlamentare

Lini një koment