Kalo te lënda

Parlamentarët i frikësojnë investitorët ?!

9483E61C-CDAD-4CDD-9020-79D5F4D8853A_mw1024_n_sPrishtinë, 23 janar – Procesi i privatizimit të fabrikës së amortizatorëve në Prishtinë, i thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, ka nxitur debat të nxehtë në Kuvendin e Kosovës. Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se procesi i privatizimit jo vetëm për këtë fabrikë, por edhe shumë ndërmarrje tjera shoqërore dhe publike, është përcjellë  me vërejtje të shumta, transmeton KTV . “Ne dhe shumëkush mund të jenë para dilemave mos me debatin tonë në Kuvend po i frikësojmë investitorët e mundshëm. Unë konsideroj se kërkesa e deputetëve për të debatuar dhe shfaqur shqetësimet e veta me privatizimet e bëra kundër ligjeve në fuqi, nuk duhet t’i frikësojë investitorët”, ka thënë Kasniqi.
Ai kështu i është kundërpërgjigjur deputetit Ardian Gjini, i cili vlerësoi se nëse Kuvendi ndërton praktikë që të debatojë për secilin privatizim veç e veç, atëherë mund t’u fusë frikën njerëzve për të konkurruar për privatizim.
Deputeti Fatmir Limaj ka propozuar që të fillohet dhe të trajtohen të gjitha privatizimet me spin-off special dhe të shihet nëse janë përmbushur ato premtime, mbi bazën e të cilave kanë bërë privatizimin e atyre ndërmarrjeve. Ai ka kërkuar nga Kuvendi të përdorë mjetin më të fuqishëm që ka, formimin e Komisionit hetimor parlamentar.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se VV  është e interesuar që të diskutojë për të gjitha privatizimet në Kosovë.
“Filluam me amortizatorët ndoshta sepse fillojnë me shkronjën A dhe kaq. Ne e kemi ndërmend të merremi me të gjitha privatizimet”, ka thënë Kurti.
Pas debatit, Kuvendi ka nxjerrë rekomandime ku parashihet formimi i një Komision hetimor për privatizimin e fabrikës së amortizatorëve, auditimi dhe vlerësimi i të gjeturave, pezullimi i kontratës nga AKP-ja derisa të përfundojë i gjithë procesi i hetimit.

Lini një koment