Fundjava me borë
Meteorologu Mendim Rugova, bëri të ditur se gjatë fundjavës pritet të mbajë mot i ftohtë me reshje shiu dhe bore si dhe rënie të temperaturave.
Sipas tij, edhe nesër pritet të mbajë mot i vranët dhe me të reshura shiu, e në vise malore reshje bore.
“Të shtunën reshjet e borës do të fillojnë edhe nëpër ultësira, por këto reshje bore nuk do të zgjasin shumë. Gjatë mbrëmjes së shtunës, dhe të dielën gjatë mëngjesit reshjet pritet të pushojnë. Të dielën do të mbajë mot i ftohtë me vranësira dhe intervale me diell”, ka thënë ai për Telegrafin.
Rugova theksoi se nesër temperaturat minimale do të zbresin deri në një gradë celsius, ndërsa, ato maksimale do të arrijnë deri në nëntë gradë celsius.
“Të shtunën gjatë ditës temperaturat do jenë në rënie, duke zbritur deri në minus katër gradë celsius në mbrëmje. Ndërsa, të dielën temperaturat minimale do të sillen nga minus tetë gradë celsius deri në minus gjashtë gradë celsius, dhe ato maksimale do të arrijnë deri në minus një gradë celsius”, njoftoi Rugova.