Beqiri: LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet
Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i fitoj zgjedhjet nacionale. Kështu deklaroi sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri në një konferencë për media. Beqiri, gjithashtu tha që pa LDK-në, nuk do të ketë zhvillimet pozitive në Prishtinë.
Përveç nëntë komunave që ka fituar LDK-ja, sipas Beqirit që janë edhe disa komuna tjera ku LDK-ja, ka kryesuesin e asamblesë komunale apo ndonjë drejtori.
“LDK diku 15 komuna jemi aktualisht, që në një formë ose tjetër i udhëheqim ose jemi pjesë e këtyre komunave. Kemi pasur rezultat që të gjithë e dinë, rritje të madhe të votës, dhe vetëm ai që është i verbër nuk dëshiron t’i shohë, qytetarët i shohin këto dhe çdo tentim që të ketë të minimizohet nga çdo kush do qoftë nuk do të ketë sukses, këtë iu siguroj. Dhe ne si LDK kemi filluar një aktivitet mjaft dinamik në teren, të gjitha degët jemi duke i vizatuar. I vetmi qëllim i këtij aktiviteti është, mobilizimi i strukturave tona udhëheqëse, nëpër degë, për përgatitjet që do t’i kemi, zgjedhjet që do t’i kemi këtë vit, zgjedhjet nacional,e për të cilat jemi të bindur që do ti fitojmë”, ka thënë Beqiri.
“Ky është një rikonfirmim i asaj që LDK është partia e parë politike në Prishtinë, me numrin më të madh të këshilltarëve dhe është dëshmi që pa LDK-në, në Prishtinë zhvillime nëse mund të thuhet pozitive, as nuk ka pasur dhe as nuk mund të ketë”, ka thënë ai, raporton KP.
Sipas tij, LDK dhe Grupi parlamentar do të jep kontribut për zhvillimin e mëtejmë të Prishtinës dhe të projekteve të cilat janë në përfundim e sipër nga mandati i kaluar.
Beqiri zhvlerësoi edhe aktivitetet e Komunës së Prishtinës, duke thënë që këto rrënime nuk janë asgjë që duhet vlerësuar, pasi që për qytetin mund të kontribuoj më së miri vetëm qytetarët.
Ndryshe, Beqiri tha se Kosova ka nevojë për LDK dhe se kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi.