Kalo te lënda

LDK e shqetësuar me procesin e degraduar të integrimeve evropiane

f1_22ldkinteg1390404312 Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për procesin e degraduar të integrimeve evropiane dhe për zhvillimet shqetësuese në procesin e liberalizimit të vizave.
Ditë më parë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Lunaçek, deklaroi se “liberalizimi i vizave nuk do të bëhet gjatë këtij viti dhe se kjo mund të ndodhë në dy apo tre vjetët e ardhshëm”. Në fakt, kjo deklaratë dëshmon se shteti i Kosovës nuk i ka përmbushur obligimet e zotuara ndaj procesit të integrimeve evropiane, ndërsa për këtë nuk mund të fajësohet askush tjetër përveç Qeverisë së Kosovës, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK-ja vazhdimisht e ka përkrahur procesin e integrimeve eropiane, pasi që integrimin në Bashkimin Evropian e konsideron interes strategjik e kombëtar, porse edhe kjo përkrahje nuk ka mjaftuar që Qeveria të bëjë edhe hapat minimalë në këtë proces.
Deklarimet se agjenda evropiane është prioritet i Qeverise janë vetëm deklarata boshe dhe nuk e ndihmojnë procesin.
Fatkeqësisht, thuhet në deklaratën e LDK-së, sivjet bëhen 4 vjet prej premtimit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
LDK nënvizon se korrupsioni, krimi i organizuar, ndikimi politik në institucione të pavarura, ndërhyrja në gjyqësor, mungesa e reformës së administratës publike, ekonomia jokonkurruese etj., mbesin shqetësime të paadresuara dhe tregojnë paaftësinë e kësaj qeverie për të ndërmarrë reformat e kërkuara, duke rrezikuar procesin e integrimeve evropiane.
LDK e bën përgjegjëse Qeverinë e Kosovës, se ka dështuar në adresimin e kërkesave teknike, nuk ka treguar seriozitet dhe angazhim në programet në të cilat ka qasje, sikurse nuk ka bërë asnjë hap konkret në programet e tjera të ofruara. Ndërkaq, Këshilli Kombëtar dhe mekanizmat e krijuar nga ky këshill nuk kanë dhënë efektin e duhur, në fakt, vetëm e kanë komplikuar punën e ekzekutivit, duke ndarë përgjegjësinë.
LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, dhe të gjitha institucioneve, që urgjentisht ta trajtojë seriozisht planveprimin për liberalizimin e vizave, t’i adresojë të gjeturat e Raporteve të fundit të Progresit dhe të angazhohet më seriozisht në procesin e negocimit të Marrëveshjes Stabilizim Asociimit.

 

 

Lini një koment