Kalo te lënda

Zyra ilegale e Rusisë në Kosovë

fotoAIOYI7VPRusia që nga dje, ka hapur një qendër për të drejtat e njeriut në Kosovë, si pjesë e një aksioni publik për të ndihmuar popullatën serbe. Hapja e kësaj qendre është bërë në mënyre ilegale, pasi që drejtuesit e kësaj qendre, të cilët nuk dihet as kush janë, nuk kanë bërë ndonjë kërkesë në institucionet e Kosovës, konkretisht në Ministrinë e Administratës së Pushtetit Lokal.

“Një qendër e tillë ruse, gjatë janarit 2014, nuk është regjistruar në Ministrinë e Administratës Publike si OJQ , madje as që ka bërë kërkesë. Për regjistrim, OJQ-të ndërkombëtare duhet të plotësojnë kërkesën për regjistrim të organizatës së huaj në Kosovë sipas Ligjit nr.04/L57”, ka thënë për Indeksonline, Zeqir Bekolli zyrtar në MAPL.

Sipas tij, personi i cili e nënshkruan këtë kërkesë për regjistrim sipas Ligjit nr.04/L-57, dëshmon kompetencën e tij/saj për dorëzimin e kërkesës në emër të organizatës si dhe saktësinë e të dhënave.

“Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet dokumentacioni komplet, i përkthyer në gjuhët zyrtare. Aty duhet të saktësohen dëshmia për themelimin e organizatës, e noterizuar, selia e administratës së saj, misioni, veprimtaria dhe simboli i OJQ-së”, ka shtuar ai.

Nëse OJQ është e interesuar të ketë statusin e beneficuar publik duhet të dëshmohet se a është e liruar nga taksat e vendit nga vjen.

Por, pavarësisht këtyre kritereve, OJQ-ja ruse ka nisur punën, dhe zyret e saj ndodhen në pjesën veriore të Mitrovicës. Nga ana e tyre, njohës të çështjeve të sigurisë, konsiderojnë se kjo organizatë ka ardhur me shërbime të caktuara, dhe se është detyrë e AKI-së që të bëjë verifikimin e saj.

Për hapjen e kësaj qendre nuk janë në dijeni as zyrtarët policor të këtij rajoni.

Florian Qehaja, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se, duhet të bëhet sigurimi i të gjitha organizatave të huaja që vijnë në Kosovë, sidomos i atyre që vijnë nga lindja.

“Mendoj se hapja e kësaj qendre duhet të verifikohet nga ana e organeve të sigurisë pasi që në të kaluarën nuk kemi pasur një përvojë të tillë. Të njëjtën kohë duhet të ketë sigurime për lirinë e asoocimit që është e garantuar edhe me kushtetutë. Po ashtu mendoj se të gjitha organizatat që vijnë nga lindja dhe nga vendet si Rusia, që duan të hapin organizata në Kosovë, të bëhet verifikimi dhe sigurimi i tyre nga Agjensioni Kosovës për Inteligjencë, pasi që dihet që AKI-ja mbledhë infromacione për sigurinë e shtetit”, ka theksuar Qehaja për Indeksonline.

Sipas tij, kjo organizatë i kontribuon vetëm një komuniteti në Kosovë, andaj doemos duhet të bëhet verifikimi i saj.

“Kjo organizatë ka ardhur me shërbime të caktuara, në ndihmë të komunitetit serb, çka do të thotë se I kontibuon vetëm një komuniteti, jo komuniteteve të tjera, dhe njëkohësisht e fragmenton skenën politike dhe sociale në Kosovë”, ka shtuar Qehaja për Indeksonline.

Nga ana tjetër, Naim Maloku, konsideron se ky është një hap që ofron të dyja shtetet, duke theksuar se do të vijë dita që Kosova të ketë ambasadën e saj në këtë shtet.

Maloku, thotë se ajo qendër duhet t’i nënshtrohet rregullave dhe ligjeve të funksionimit, dhe se në këtë mënyrë do të përmisohen raportet me Rusinë.

“Rusia nuk e ka pranuar Kosovën si shtet dhe është kundër, mirëpo janë edhe shumë shtete tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, dhe se ajo qendër duhet t’i nënshtrohet rregullave dhe ligjeve të funksionimit. Mendoj se një ditë edhe Kosova duhet me i përmisu raportet me Rusinë, edhe Kosova duhet me hapë qendër në Rusi. Pse për momentin Rusia është kundër njohjes së Kosovës, kjo nuk do të thotë se do ta kenë qëndrimin e njejtë”, ka theksuar Maloku për Indeksonline.

Sipas tij, hapja e kësaj qendre nuk do të ketë ndikim negativ.“Mendoj se kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim në përkeqësimin e gjendjes së sigurisë publike në Kosovë”, ka shtuar Maloku.

Lidhur me këtë qendër, ndonjë informatë nuk ka as Zëvendës drejtori i PK-së në veri, Besim Hoti.

“Jo nuk kemi asnjë informacion, dhe as nuk jemi informuar për një qendër të tillë”, tha Hoti për Indeksonline. /Indeksonline/

Lini një koment