Zgjidhje ndërkombëtare për devijimin e Radikës
Qeveria shqiptare do të kërkojë zgjidhje sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, nëse projekti maqedonas për devijimin e lumit Radika do të cenojë interesat e Shqipërisë.
Këtë e deklaroi ditën e djeshme ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili tha gjithashtu, se qeveria shqiptare nuk ka marrë ende asnjë propozim zyrtar nga Maqedonia në lidhje me devijimin e lumit Radika.
“Nëse ky projekt ndikon negativisht në ujërat e Shqipërisë, zgjidhja parashikohet në marrëveshjet ndërkombëtare ndërkufitare, sa i përket regjimit të ujërave.
Ne po presim të njihemi me projektin nga ana teknike. Nëse ky projekt ka ndikim negativ mbi pasuritë e vendit tonë, padyshim që qeveria shqiptare do të mbajë qëndrim në puthje me interesat kombëtare.
Askush nuk duhet të luajë politikisht me këtë çështje”, tha ministri Gjiknuri në një prononcim për mediat ditën e djeshme. Nga ana tjetër, ekspertët thonë se devijimi i lumit Radika nga ana e maqedonasve, i merr Shqipërisë pothuajse gjysmën e prurjeve të Drinit të Zi, duke shkaktuar jo vetëm dëme mjedisore, por edhe dëme në fushën e energjetikës.
Po ditën e djeshme, një grup deputetësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkuan interpelancë urgjente me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushatin, për të informuar opinionin publik mbi projektin e devijimit të lumit Radika. Sipas kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasilit, ky projekt është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare për ujërat.
Ditën e djeshme reagoi edhe kryeministri Ditën e djeshme reagoi edhe kryeministri Edi Rama lidhur me projektin e devijimit të lumit të Radikës.
Në një postim në rrjetin social “Twitter Rama shkruan: “Lumi Radika, shumë zhurmë për asgjë! E para: s’ka projekt. E dyta: s’ka gjasë të ketë fillim të njëanshëm. E treta: s’ka shans të lejojmë prekjen e interesit tonë kombëtar”. /Shekulli/