Mustafa: Zgjedhjet nacionale, në pjesën e parë të këtij viti
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij se ata nuk përkrahin ulëset e rezervuara për serbët e Kosovës dhe se kjo gjë definohet qartë edhe në kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Këto qëndrime ai ja ka bër të qartë edhe dy ambasadorëve të dy shteteve mike të Kosovës, me ambasadorët e të cilëve ai ka pasur takime gjatë ditës së sotme.
“Sot në Selinë e LDK-së biseduam në takime të ndara me Ambasadorin e Britanisë së Madhe z, Ian Cliff dhe me Ambasadoren e Francës, Maryse Daviet, lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, zgjedhjet e ardhshme dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mustafa në faqen e fansave të tij në Facebook.
“Rikonfirmova edhe një herë qëndrimin e LDK-së për përkrahjen e reformës zgjedhore në suaza të mundësive që lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vlerësimin se Kosova ka përmbushur detyrimet e saj sipas Pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës për vendet e rezervuara dhe se zgjatja e mëtutjeshme e këtyre vendeve nuk përkrahet nga LDK. Shpreha bindjen tonë se intensifikimi i procesit të reformave dhe mbajtja e zgjedhjeve të rregullta nacionale në pjesën e parë të këtij viti është zgjidhja më e mirë, për shkak se shumica parlamentare tani është tepër e brishtë dhe jofunksionale”, ka shkruar në fund Mustafa.