Kuvendi përballë Devollëve
Pas PTK-së, Kuvendit të Kosovës do t’i dalë punë ta trajtojë edhe një proces tjetër të privatizimit në Kosovë. Në seancën e parë të sesionit pranveror deputetët do të kenë para vetes një dosje përplot “fakte dhe argumente”, që duhet trajtuar lidhur me Fabrikën e Amortizatorëve të privatizuar në vitin 2010, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit të hënën, pas shqyrtimit të materialeve të dorëzuara nga sindikata e pavarur e Fabrikës së Amortizatorëve, e cila tërë këtë proces e ka vlerësuar të paligjshëm. Gazeta Tribuna posedon dokumentacionet të cilat sindikata pretendon se janë dëshmi të mjaftueshme për ta rikthyer në privatizim këtë ndërmarrje.
AKP-ja, sipas tyre, ia ka ulur vlerën ndërmarrjes me qëllim, duke e ndarë atë në dy pjesë për ta privatizuar më pastaj ndaras dhe duke mos i regjistruar mbi 1000 asete të cilat kapin vlerën dhjetëra miliona euro. Më saktësisht 93 milionë marka gjermane bazuar në vlerën e tregut para se të nxirrej në privatizim.