Kalo te lënda

Jahjaga: Askush mos ta pengojë Kosovën drejt BE-së

jahjaga-askush-mos-ta-pengoj-euml-kosov-euml-n-drejt-be-s-euml_hdPresidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalën e saj në Kongresin e 11-të Ndërkombëtar të Vjenës, ndër të tjera foli për synimin dhe rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Jahjaga, duke folur për arritjen e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë një partneritet, të bazuar në njohje të dyanshme, si hap përfundimtar drejt integrimit në BE.

“Asnjë shtet i cili aspiron integrimin në BE nuk duhet të lejohet që ta pengojë ndonjë shtet tjetër në këtë proces dhe kjo vlen posaçërisht për rastin e Kosovës dhe Serbisë. Për këtë arsye, njohja e dyanshme në mes të dy shteteve, nëpërmes një traktati me bazë ligjore, duhet t’i hapë rrugën për anëtarësim në BE të dyja shteteve”, ka thënë Jahjaga, njofton Presidenca e Kosovës,.

Presidentja tha se Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë vendosjen e pengesave në rrugëtimin e shteteve aspiruese, sepse një akt i tillë do të bllokonte zhvillimin e mëtutjeshëm dhe do të krijonte një periudhë të re mospajtimesh në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë edhe një ndalesë tjetër në procesin e progresit të përgjithshëm të këtij rajoni.

“Për këtë arsye rrugëtimi ynë drejt BE-së duhet të kushtëzohet me çimentimin e paqes në vendet tona. Ne duam të shohim vazhdimin e dialogut të strukturuar përderisa të ketë nevojë për të, por me një afat kohor të paracaktuar dhe të udhëhequr nga rezultatet. Por, më së shumti duam një dialog i cili do të vazhdonte të lehtësohet nga BE-ja dhe të mbështetet nga SHBA-ja, i cili po ashtu do të garantonte implementimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri tani”, ka thënë Jahjaga në fjalimin e saj.

Jahjaga është shprehur se Kosova nuk do të bëjë asnjë hap i cili i cenon sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Kosova nuk është një vend i cili do ta ndajë sovranitetin e saj me ndonjë shtet tjetër. Po ashtu, nuk është një vend i cili ushqen ambicie territoriale ndaj ndonjë vendi fqinj. Ne synojmë të ndërtojmë një vend gjithëpërfshirës, në të cilin kulturat e ndryshme koekzistojnë, në të cilin punojmë shumë për riforcimin e besimit të lëkundur në mes komuniteteve dhe rithemelimin e lidhjeve komunikuese të cilat ishin shkëputur më herët”, thuhet në këtë njoftim.

Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës nuk është një projekt interim, por një fakt i përhershëm dhe një realitet i pamohueshëm, dhe integriteti territorial i saj nuk mund të komprometohet. Derisa ka shtuar se Serbia duhet të heqë dorë nga ideja e ndarjes së Kosovës në vija etnike. Duhet të heqë dorë nga kërkesa që Kosova të shkëmbejë një pjesë të territorit të saj dhe duhet të heqë dorë nga ideja e një konflikti të ngrirë.

“Askush nuk mund të vendosë në emër të Kosovës përpos qytetarëve të saj dhe përfaqësuesve të saj legjitimë. Askush nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e Kosovës pos tyre. Pamundësia jonë për të ndërtuar këtë gjithëpërfshirje ishte e imponuar nga influenca e vazhdueshme e Serbisë në komunitetin serb në Kosovë, duke komplikuar kuptueshmërinë e realitetit në të cilin gjenden dhe duke bllokuar përfaqësimin e tyre në institucionet e Kosovës. Gjë e cila më sjell tek çështja e sigurisë, si element kyç në zhvillimin e një shteti dhe sigurisht një nga parimet që sigurojnë progres të shoqërisë, duke i bashkuar njerëzit e komuniteteve të ndryshme, përfshirë edhe skeptikët”, ka thënë Jahjaga. /Telegrafi/

Lini një koment