Krasniqi: Vendet e rezervuara kanë marrë fund
Vendet e rezervuara vazhdojnë të jenë peng i reformës zgjedhore. Liderët politik asesi nuk po mund të merren vesh që reforma të përfundoi, meqë opozita po e kundërshton vazhdimin e vendeve të rezervuara. Kurse, pakicat po kërkojnë që edhe një ose dy mandate të i’u vazhdohen vendet e rezervuara, derisa, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit, dy mandate u kanë përfunduar komuniteteve.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se nuk nevojë të hapet Kushtetuta e Kosovës për vazhdimin e vendeve të rezervuara, duke qenë se këtë çështje mirë e ka paraparë pakoja e presidentit Ahtisaarit, dhe Kushtetuta e Kosovës, që ato përfundojnë me përfundimin e këtij mandatit legjislativ.
“Unë konsideroj se vendet e rezervuara nuk duhet të jetë pjesë e kushtetutës. Kushtetuta, ju e dini që ka disa dispozita kalimtare dhe çështja e vendeve të rezervuara përfundon me këtë kushtetutë dhe absolutisht pasi është në pyetje një mandat, nuk ekziston asnjë arsye që për këtë çështje të ndryshohet kushtetuta dhe kjo çështje të futet si pjesë e kushtetutës…Duhet ta zgjedhin partitë politike dhe ta mendojnë edhe funksionalitetin e institucioneve të Kosovës me atë shtim të ri të deputetëve”, tha Krasniqi, transmeton rtv21.
Madje, kreu i legjislativit ka shtuar se do të ishte e rrezikshme dhe jo e shëndetshme që të ketë me shumë vende që nuk janë vullnet i qytetarëve të Kosovës.
“Konsideroj se kjo çështje ka qenë mirë e biseduar, mirë e zgjedhur edhe në dokumentin e presidentit Ahtirsari edhe në kushtetutën tonë që janë dy mandate dhe ato kanë përfunduar dhe mendoj që kanë ardhur kohë që komunitetet pakicë mos t’i shohin të drejtat e tyre nga një numër me i madh dhe me i vogël në Kuvend, por si realizohen ato. Nuk është e shëndetshme që në Kuvend të ketë me shumë numra që nuk janë vullnet i qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.