Avokati Koci: Do të zbulohen të gjitha vrasjet politike
Avokati Arianit Koci, është i bindur se vrasjet politike do të zbardhen nëse do të përkrahen në detyrë prokurorët dhe gjyqtarët. Ai ka thënë se, nëse ne akuzojmë vazhdimisht hetuesinë për paaftësi për të zbardhur vrasjet politike, dhe në të njëjtën kohë pretendojmë që këto raste nuk mund të zbardhen, ne veç po ripërsërisim diçka që e kanë thënë armiqtë tan: që ne nuk e meritojmë lirinë.
Më poshtë mund mundë ta lexoni shkrimin e avokatit Koci i botuar në gazetën Koha Ditore:
Deklarimet e individëve për vrasjet politike në media, e jo në prokurori, qofshin të vërteta, gjysmë të vërteta apo spekulime, i pengojnë organet kompetente në hetim, dhe shkaktojnë konfuzion dhe pakënaqësi në opinionin publik.
Në fakt, sado dekurajuese për ne, vonesat në zbardhjen e këtyre rasteve, pritjet shumëvjeçare për vënien para drejtësisë të krimineleve, janë problem i madh për shtetin tonë, por, dosido, të gjitha vrasjet mendoj janë në rrugë të mirë që të zbulohen.
Dua të them që ka shumë më shumë prova se që mendohet. Asnjë krim nuk është perfekt. Në të njëjtën kohë, kemi shumë më shumë kapacitete profesionale se që është krijuar përshtypja në opinion. Kemi hetues policor, prokuror, gjykatës dhe avokat të mire; njëherësh kemi guxim intelektual dhe vullnet në shoqëri për ballafaqim me të vërtetën.
Ironia është që sado që plasohet ideja që nuk po punohet në atë drejtim nga disa individë, mu ata, në disa raste po i ndihmojnë hetimet; mendoj që hetimet po ecin përpara dhe disa individ nuk e ndiejnë vetën të sigurt.
Zbulimi i të vërtetës mund të jetë i hidhur në disa raste, dhe për dikë, por momenti historik e kërkon këtë, dhe shoqëria e jonë nuk mund të ece përpara, pa kaluar nëpër purgator.
Sidoqoftë, zbulimi i vrasësve, nga vete ne, do ta arsyetoj sakrificën shekullore të patrioteve tanë, flijimin e dëshmorëve, luftën e UCK-së, veprimtarinë patriotike të individëve apo grupeve që kanë kontribuar në çfarëdo forme për lirinë e Kosovës dhe intervenimin e NATO-së.
Në përgjithësi, intonacioni politik që po plasohet në media nga disa individë, shfrytëzimi i këtij problemi të madh në shoqëri, si “xhoker” për përfitime politike i hipokritëve politik, e ngadalëson punën e hetuesisë. Kjo edhe është njëra prej arsyeve pse dinamika e hetimeve është e ngadalësuar. Por, dinamika e hetimeve nuk ndalet dhe nuk është ndalur asnjëherë.
Duke legjitimuar e shpesh edhe duke e potencuar në debate publike, paaftësinë dhe dështimin e hetuesisë në zbulimin e këtyre rasteve, në një mënyre apo tjetrën, po e vërtetojmë tezën e armiqve tanë, se nuk e kemi merituar lirinë dhe nuk jemi në gjendje ta zhvillojmë një shtet demokratik.
Ndoshta ekziston ende një grup i vogël i qytetarëve kosovar, që nuk beson në kapacitetet tona profesionale dhe shtet-formuese, por detyra e jonë është që edhe ata t’i bindim që ne si shoqëri kemi kapacitete demokratike për ndërtimin e shtetit ligjor dhe modern. Që në shtetin tonë nuk mund të pritet ta kemi rolin e statistit. Vlerat demokratike na imponojnë që ta kemi rolin e protagonistit.
Shteti i ynë po konsolidohet dhe mendoj që detyra e të gjithë neve është që të i ndihmojmë prokurorët dhe gjyqtarët në çfarëdo forme; ndonjëherë ndihma më e madhe është që të kemi besim në punën e tyre, dhe të i lëmë të qetë në kryerjen e obligimeve profesionale dhe ligjore.
Mohimi dhe injorimi i kapaciteteve profesionale te kosovarëve, nuk e zhvillon shtetin e Kosovës, dhe nuk na bën nder. Kam besim të madh që çdo vrasje politike do të zbulohet nga vet ne. Detyrë e rëndë, por do ta përmbushim në tërësi. Ja kemi borxh dëshmorëve, veprimtarëve patriotik, miqve ndërkombëtare dhe fëmijëve tanë./Indeksonline/