Reagime për lirimin e vrasësve të refugjatëve nga Kosova
Vendimi i Gjykatës së Lartë të Bjelo Poles i cili liroi nga akuzat 8 anëtarët e ish-Ushtrisë Jugosllave për vrasjen e 15 refugjatëve nga Kosova në fshatin Husaj pranë Rozhajës në Mal të Zi ka shkatuar reagime në opinion.
Ky vendim u cilësua si legalizim i krimitdhe i politikës gjenocide, por edhe si një krim kundër njerëzimit ku akterët kryesor mbesin të pandëshkuar dhe në liri.
Avokati i viktimave , Velija Muriq në një deklaratë dhënë për “Zërin e Amerikës”, cilësoi si shqetësues dhe fajësoi gjyqësorin për politizim të skajshëm.
“Ky fakt sinjalizon që Mali i Zi nuk është i gatshëm dhe nuk dëshiron që të ballafaqohet me të kaluarën. Dështimet ligjore dhe pasiviteti i prokurorisë dhe gjykatave vendore kanë bërë që në Mal të Zi të mos ketë asnjë dënim për krime lufte”- tha z. Muriq.
Velija Muriq paralajmëron se për qëndrimin e gjyqësorit në rastin e vrasjes së refugjatëve kosovarë do ti njoftojë të gjitha institucionet ndërkombëtare duke apeluar tek ata që të ndikojnë që krimet e luftës në Mal të Zi të trajtohen në mënyrë të drejtë. Gjyqi ndaj kosovarëve ka filluar në vitin 2009 dhe është gjyqi i vetëm për krime lufte në Mal të Zi ku aktgjykimi për lirimin e të akuzuarve u dha këto ditë.