Kalo te lënda

Kandidatët humbës të PDK’së i përgjigjen Thaçit

foto1CGK2G1DDikur kanë qenë ideal për të. Por, ky besim që kishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherit kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, për kryetarët që vet kishte nominuar për kryetar të komunave, ka ndryshuar.

Ai ka ndërruar këtë qëndrim, vetëm dy muaj më vonë, për të gjithë ata kandidatë që kanë humbur në garën për kryetar të komunës, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Thaçi ka thënë në një prej televizioneve të Shqipërisë se në komunat ku ka humbur PDK, kandidaturat kanë qenë të gabuara.

Me vlerësimin e fundit nuk janë pajtuar disa nga ish kandidatët e PDK-së që kanë garuar për kryetar të komunave, e të cilët disa prej tyre kanë qenë edhe kryetar komunash në mandatet e kaluara.

Qemajl Mustafa, ish kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë për Kosovapress, se kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi, nuk ka pasur kandidat më të mirë se ai për të garuar për kryetar të Gjilanit.

“Këtu, natyrisht që kam vërejtur një hatrim të liderit të partisë, të kryesisë dhe një distancim prej kryetarit të komunës, një margjinalizimit të kryetarit, një diskomunikim, e cila sigurish e ka bërë punën e vet. Na kemi nisur projekte bashkë më 2009 – 2010 dhe janë zvarritë dhe nuk kanë përfunduar disa prej tyre edhe sot, një pjesë e tyre kanë përfunduar me disa investime që na kanë ardhur në fushatën zgjedhore”, thotë Mustafa për Kosovapress

Mustafa ka thënë se në rezultatin e zgjedhjeve kanë ndikuar zgjedhjet brenda Partisë Demokratike të Kosovës (Konventa) siç i ka quajtur ai si katastrofale, përçarjet dhe fraksionet e mëdha brenda degës, mos aprovimi i projekteve nga Qeveria për Gjilanin, janë disa nga elementet që ish kryetari i Gjilanit i ka përmendur.

Më i butë në qëndrime ka qenë kryetari aktual i degës së PDK në Ferizaj, ish kryetari i komunës Agim Aliu.

Aliu i ka kujtuar Thaçit se ka qenë i nominuari i parë nga vetë ai para zgjedhjeve lokale, nga vetë lideri i partisë, duke shtuar se në raundin e fundit, ai ka më shumë vota sesa vet subjekti nga e cila vjen.

“…Bile, nominimi im ka qenë një ndër nominimet e para, që do të thotë se kam qenë një figurë konsesuale dhe një figurë e vlerësuar nga të gjitha strukturat e PDK-së”, ka thënë ai.

Për analistin Ardian Arifaj, të gjithë kandidatët e partive politike nëpër komuna janë ndëshkuar nga qytetarët, meqë, sipas tij, qytetari nuk i ka vlerësuar kandidatët për kryetar.

Sipas tij, partitë politike, urgjentisht, duhet të bëjnë reforma në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të ketë kandidatë të pëlqyer nga votuesi dhe mos të akuzojnë partitë njëra-tjetrën për humbje. Por, siç ka thënë ai, secila parti ta shikojë vetën në pasqyrë.

Lini një koment